Koronavirusi, ndërpritet transporti publik në Tiranë

Si pasojë e situatës së krijuar nga koronavirusi është ndërprerë  transporti publik në Tiranë. Lajmi është bërë me dije nga bashkia e kryequtetit.

“Në vijim të planit të masave mbrojtëse në qytetin e Tiranës, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, Bashkia e Tiranës njofton të gjithë qytetarët se nga dita e enjte, datë 12 mars, do të pezullohet shërbimi i transportit publik për një afat të pacaktuar.

Për sa më sipër, prej orës 05:00 të ditës së nesërme, këto linja do të ndërpriten deri në një njoftim të dytë: 

– Shërbimi i transportit qytetas (linjat brenda qytetit të Tiranës);

– Shërbimi i transportit rrethqytetas (linjat që lidhin qytetin e Tiranës me ish njësitë administrative/ komunat);

– Shërbimi i transportit ndërqytetas ushqyes (linjat që lidhin Bashkinë e Tiranës me Bashkinë e Kamzës dhe Bashkinë e Vorës).

Bashkia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për masën e pezullimit të përkohshëm të këtyre shërbimive të transportit, por gjykon se masa është e domosdoshme për të rritur efiçencën e sistemit të mbrojtjes ndaj përhapjes së mëtejshme të virusit”, thuhet në njoftimin e bashkisë.