KESH jep njoftimin e rëndësishëm për qytetarët. Pas acarit të ditëve të fundit, pritet që të rikthehen reshje intensive në vend…

Pas ditëve të ftohta që kemi kaluar së fundmi pritet që në datat 22-26 Janar të rikthehet moti me shi në pothuajse të gjithë territorin e vendit. Shtimi i reshjeve intensive në ditët në vijim ka bërë që KESH të jap një njoftim të rëndësishëm për qytetarët.

Në njoftim bëhet me dije, se prurjet në Hec Fierzë, Koman dhe Vau Dejës priten të rriten ndjeshëm, por kjo nuk do të bëjë që të kemi përmbytje në zonën e nën Shkodrës, pasi shkarkimet nga hidrocentralet janë bërë, por dhe priten të bëhen në mënyrë të kontrolluar nga ana Komisioni i Posaçëm i Trajtimit të Plotave në KESH.

Njoftimi i plotë i KESH

Raportet meteorologjike parashikojnë se për periudhën 22-26 Janar 2021 priten rreshje intensive shiu, në të tre basenet e kaskadës së lumit Drin dhe për pasojë prurjet në Hec Fierzë, Koman dhe Vau Dejës priten të rriten ndjeshëm.

Sekretariti Teknik i Komisionit të Posaçëm të Trajtimit të Plotave vijon punën në marrjen e masave paraprake për ti paraprirë situatës që pritet të vijë në ditët në vijim.

Për këtë arsye, shkarkimet e kontrolluara në Hec Vau Dejës u rritën nga 300 m3/s në 700 m3/s me synim parandalimin e shkarkimeve të mëdha në momentet e pikut të prurjeve natyrore.

Shkarkimet do të menaxhohen me kujdes duke ndjekur në dinamikë zhvillimet meteorologjike. Bazuar në informacionin aktual të prurjeve, shkarkimet nuk do të kenë ndikim në zonën e nën-Shkodrës.

KESH, do të vijojë bashkëpunimin me autoritetet përgjegjëse dhe do të mbajë të informuar në mënyrë transparente opinionin publik.