Jozefina Topalli bën deklaraten e fortë: Po të isha në krye të opozitës do bashkëpunoja me…

Nëse do të ishte kryetare e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli do të bashkëpunonte me qeverinë për përballimin e situatës COVID-19, ndryshe nga panorama që është ofruar në ditët e sotme ku opozita dhe mazhoranca, por punojnë në dy fronte të ndara.

Në një intervistë ekskluzive për Report Tv në edicionin qendror të lajmeve, Topalli ka theksuar se bashkëpunimi do të ishte i vërtetë, të paktën nga ana e saj, dhe kurrsesi nuk do e shfrytëzonte për karrigen e pushtetit. Duke e quajtur të neveritshme përdorimin politik të virusit, por me shumë diplomaci pa e specifikuar nëse kjo gjë po ndodh aktualisht nga partitë politike, ish- kryetarja e Kuvendit tha se ky është momenti që të mbizotërojë vetëm dashuria midis njerëzve.

E pyetur nga gazetari Besard Jacaj, se çfarë do të bënte ndryshe për Shkodrës nëse do ishte në pushtet, ajo tha se do të shkonte lagje më lagje, kafe më kafe dhe do t’u lutej qytetarëve që të respektonin masat. Megjithatë, si ish-deputete e qarkut dhe mbi të gjitha si një shkodrane, ajo i ka dalë në mbrojtje qytetit të saj duke thënë se një pjesë shumë e vogël nuk po i respekton masat e marra nga qeveria.