
Në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër, marrëdhëniet shoqërore në moshën e tretë marrin një kuptim të veçantë, ku çdo ditë shoqërohet me ngrohtësi, buzëqeshje dhe ndjesi afërsie.
Banorët e kësaj qendre krijojnë lidhje të forta mes tyre, duke u bërë jo vetëm shokë, por edhe mbështetje e sinqertë në përditshmëri, gjë që e bën jetën aty më të lehtë dhe më të këndshme.
Momentet e kohës së lirë kthehen në argëtim, ku lojërat si domino dhe bilardo janë pjesë e zakonshme e ditës. Përmes tyre ata jo vetëm argëtohen, por edhe forcojnë raportet shoqërore dhe rikujtojnë kujtime nga e shkuara.

Në ambientet e qendrës funksionon edhe një bibliotekë, e cila u jep mundësi banorëve të lexojnë dhe të kalojnë kohë të qetë me libra.

Një zhvillim i rëndësishëm është edhe salla e fizioterapisë, që ka ndikuar pozitivisht në shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Nën udhëzimin e fizioterapistes, ata kryejnë ushtrime të përshtatura që ndihmojnë në ruajtjen e lëvizshmërisë dhe në përmirësimin e gjendjes fizike.
Në këtë mjedis ku kujdesi dhe humanizmi janë të përditshëm, të moshuarit nuk e kalojnë kohën thjesht duke qëndruar, por e jetojnë atë me dinjitet, duke dëshmuar se shoqëria dhe dashuria nuk kanë kufi moshe.





