Ikën nga “AbcNews”, Petrit Beci është blerja më e re e Fax News, do të mbajë postin e drejtorit ekzekutiv

Petrit Beci është blerja më e fundit e televizionit Fax News. Burime nga televizioni në fjalë bëjnë me dije, se Beci do të ketë rolin e drejtorit ekzekutiv, ku do të kujdeset për mirëmenaxhimin e lajmit të fundit, kronikave dhe që gjithçka në Fax News, të ketë saktësi e shpejtësi.

Së fundmi, Beci ishte në “AbcNews”, ku kishte të njëjtin pozicion. Me ardhjen e Becit, në “Abc News” u shtuan edhe një sërë programesh të reja. Petrit Beci e ka nisur karrierën e tij si punonjës në Kinostudio. Më tej u emërtua në vitin 1984 si kryetar i prodhimit për tre gjinitë e filmit, po në Kinostudio. Në vitin 1987, ai u caktuar në postin e drejtorit të Kinostudios, post të cilin e mbajti deri në vitin 1994.

Në vitin 1997, Beci iu kthye kinematografisë, ku ka dhënë një kontribut për aprovimin e ligjit mbi kinematografinë, duke qenë ndër autorët e tij. Me ligjin e Kinematografisë, në vitin 1997 u krijua dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë, ku Beci do të kthehet si nëndrejtor dhe më pas drejtor i saj, deri në vitin 2000.Më pas jeta e Becit u lidh me kinematografinë shqiptare dhe zhvillimet e saj. Ai punoi prej vitesh në televizionin “Klan” dhe në momentet që po themelohej televizioni “Top-Chanel”, Beci shprehet se ka qenë në rolin e drejtorit të përgjithshëm. Më pas ai u bë Drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së.

(dosja.al)