I mbyllën me bujë, tani do lejohen kazinotë në qendër të Tiranës…

Vetëm dy vite më parë kryeministri Rama vendosi për mbylljen e lojrave të fatit, këtë vit qeveria vendosi sërish që t’i lejojë ato.

Këtë të mërkurë (9 shtator) në fletoren zyrtare u botua VKM që do të lejojë hapjen e kazinove në qytetin e Tiranë, madje në zemër të saj.

Në 2018, Rama tha se lojrat e fatit do të vendosen vetëm në periferi të kryeqytetit dhe në resortet me 5 yje, por tani ato do të lejohen në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës.

Gjithashtu në fletoren zyrtare u botuan dhe rrugët në të cilat do të lejohen hapja e këtyre aktiviteteve si: Rruga e Barrikadave, Bulevardi “Zhan D’Ark”, Rruga: “IbrahimRrugova”. Rrugët e tjera i keni të rradhitura në vendimin më poshtë.

VENDIM

Nr.689,datë2.9.2020

PËR PËRCAKTIMIN E ZONËS KU DO TË LEJOHET VENDOSJA E LOJËS SË FATIT, E KATEGORISË “KAZINO”, NË QYTETIN E TIRANËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 34, të ligjit nr.155/2015,“Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Miratimin e zonës ku lejohet vendosja për zhvillimin e lojës së fatit, të kategorisë “Kazino”,në qytetin e Tiranës, sipas hartës që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe që ndodhet brenda kufizimeve të rrugëve, si më poshtë vijon:“Rruga: “Barrikadave”; Rruga: “Urani Pano”; Rruga: “Dedë Gjon Luli”; Rruga: “Ibrahim Rrugova”; Bulevardi: “Zhan D’Ark”, Rruga: “Xhorxh W. Bush””.Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

ZËVENDËSKRYEMINISTËR

Erion Braçe

VKM në Fletoren Zyrtare

Në VKM përcaktohen dhe aktivitetet e tjera që do të lejohen si bingo tradicionale, bingo televizive, baste sportive dhe baste për gara në pistë.

Neni 4

Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Lojëra fati” janë lojërat e përcaktuara në këtë ligj, ku pjesëmarrësit paguajnë një shumë të caktuar dhe u jepet mundësia e fitimit në para, sende apo të drejta të tjera, ku faktori fat ka ndikim të drejtpërdrejtë si në fitimin, ashtu edhe në humbjen e pjesëmarrësve në secilën lojë.  Nuk vlerësohen lojëra fati: a) konkurset, që zhvillohen në bazë të njohurive të pjesëmarrësve, ku fituesi merr një çmim të caktuar, të vendosur për këtë qëllim; b) pagesat, që bëhen nga sigurimi i jetës ose llojet e tjera të sigurimit, nëpërmjet tërheqjes me short të biletave, të emetuara për këtë qëllim.

2. “Organizator” është personi juridik, i cili lejohet të ushtrojë veprimtari në fushën e lojërave të fatit, në zbatim të dispozitave të këtij ligji.

3. “Mjetet e lojërave” janë mjetet elektrike, elektronike ose mekanike, që përdoren ose synohet të përdoren për të luajtur lojëra fati dhe funksionimi i të cilave ka një ndikim në rezultatin e lojës.

4. “Publicitet” është çdo formë njoftimi për promovimin e lojërave të fatit, qëllimi i dukshëm i së cilës është dhënia e informacionit publikut në medien e shkruar dhe audiovizive. 

5. “Miratimi për dhënien e lejes për ushtrimin e veprimtarisë në fushën e lojërave të fatit” (më poshtë Miratim) është akti administrativ, me anë të të cilit organizatori i lojërave të fatit ka të drejtë të ushtrojë veprimtarinë në këtë fushë: kazino elektronike, bingo tradicionale, bingo televizive, baste sportive dhe baste për gara në pistë.

6. “Licencë” është akti administrativ, i lëshuar nga autoriteti i parashikuar në ligj, me anë të të cilit organizatori  i  lojërave  të  fatit  ka  të  drejtë  të  ushtrojë  veprimtarinë  e  lojërave  për  kazino  dhe  lotari kombëtare.

VKM në Fletoren Zyrtare