
Skuadra kampione e Shqipërisë në futbollin e femrave, Vllaznia, do të nisë aventurën europiane këtë sezon nga turi i dytë i “UEFA Women’s Champions League”, falë koefiçentit të krijuar nga pjesëmarrjet e mëparshme.
Shorti, i hedhur në Nion të Zvicrës, e ka vendosur ekipin shkodran në një grup mjaft të vështirë – grupin e katërt – ku përballë do të ketë Ferencvaroshin e Hungarisë, Dinamo BSUPC nga Bjellorusia dhe fituesen e grupit të parë të turit të parë.
Presidenti i klubit, Lazer Matija, dhe menaxherja e përgjithshme, Matilda Matija, ishin të pranishëm në ceremoninë e shortit.
Pavarësisht vështirësive, një avantazh i rëndësishëm për Vllazninë është fakti se të gjitha ndeshjet e grupit do të zhvillohen në stadiumin “Loro Boriçi” në fund të muajit gusht, çka i jep ekipit mbështetje maksimale nga tifozët dhe ambientin e njohur.




