“Heq dorë” nga faqja e Facebook-ut/ Rama, tani me “TikTok”

Karantina ka bërë që njerëzit të fokusohen te teknologjia më shumë se kurrë më parë. Edhe kryeministri Edi Rama, ka gjetur një hobi të ri, ku mesa duket kalon kohën e tij të lirë, kur nuk është duke drejtuar qeverinë.

Rama, i është përkushtuar aplikacionit që po bën namin për momentin dhe që quhet “Tik Tok”, ku edhe sheh video për të qeshur. Mirëpo edhe në aplikacionin që është i mbipopulluar nga mosha e re, e ndjek politika dhe i del para kryedemokrati Lulzim Basha.

Një vajze ka postuar një video, ku ka montuar zërin e Bashës tek figura e saj teksa thotë lapsusin e tij në Kuvend me llogaritjen:

“Për 7 vjet, nga 7 milionë dollarë, 7 x 7 janë 42 milionë. 49 më falni. Qeshni, qeshni! U shkritë ju, u shkritë, se për ju janë patate këto”.

Mesa duket videoja ka bërë edhe Ramën të qeshë, aq saqë se ka mbajtur dot për vete dhe e ka shpërndarë. “Artiste,” – shkruan Rama dhe e shoqëron me një emoji që qesh me lot.