Helidon Bushati: Rama s’mund të kërkojë vota nga Shkodra, e ka lënë në harresë! Topalli jo kundërshtare, por patericë e PS-së

8 Marsi do të jetë afati i fundit kur palët politike do ti japin fund dilemave se kush do të jenë emrat me të cilët do të garojnë në zgjedhje, e në këto kushte, ethet kanë mbërthyer selitë qëndrore të partive. Ndërkohë në qarqe është zhvendosur lufta për të siguruar sa më shumë votues.

Shkodra është një nga fushëbetejat më të rëndësishme për demokratët, të cilët kanë gati grupin e deputetëve për të fituar qarkun që prodhon 12 mandate. 

Drejtuesi Politik i PD, Helidon Bushati në një intervistë për Report Tv nuk zbulon emra, por thotë se një grup personalitetesh do të garantojnë përfaqësimin e cdo zone, për të siguruar një fitore spektakolare.

“Partia Demokratike ka ndjekur një proces risi që ka nisur muaj më parë për kandidatët për deputetë. Është një grup persnalitetesh, asetesh që do të përbëjnë një listë përfaqësuese, cdo zonë do ketë përfaqësuesin e sajndaj jam besimplotë që do të ketë një rezultat spektakolar”, shprehet Helidon Bushati

Sipas Bushatit, pavarësisht lidhjes me Shkodrën, Rama e ka lënë në harresë prej 8 vitesh

“Partia Socialiste në Shkodër ka arritur të humbë kundër vetvetes. Në zgjedhjet e 2019 ka qenë e vetme në garë, sepse PS e ka diskriminuar shkodrën, e ka trajtuar si të mos ishte pjesë e republikës së Shqipërisë Shkodra. Kjo ka qenë përqasja që ka patur PS për  Shkodrën. Dhe ky është mllefi që ka PS ndaj Shkodrës. Ose gënjejnë ose vjedhin, ose bëjnë pseudoinvestime për efekte elektorale. Kjo është fytyra me të cilën paraqitet në zgjedhje Partia Socialiste. Edi Rama sa herë ka nevojë të shpëtojë, që të mbështetet në Shkodër, thotë jam nip Shkodre, kam gjyshen Shkodrane, por nuk ka asnjë gjyshe shkodrane që të mësojë nipin të urrejë Shkodrën? Ai vetëm sillet me përbuzje ndaj këtij qyteti, abuzon me këtë qytet, por me 25 prill këtij abuzimi do t’i vijë fundi ” thotë Bushati.

Të besurit të Ramës në këtë qark, Ilir Beqajt, Bushati i adreson një pyetje. “Ku e gjeni kurajon t’i kërkoni votat këtij populli?”

Për herë të parë, Jozefina Topalli do ta ketë kundërshtare në garën elektorale në Shkodër. Por ashtu si Basha, edhe Bushati e konsideron ish numrin dy të demokratëve patericë të Ramës.

“Sot problemi është i të ardhmes së të Shkodrës dhe Shqipërisë. Për ti thënë stop kësaj të keqje është bërë koalicioni më i madh në 30 vite mes partish dhe qytetarësh të këtij vendi. Kushdo që nuk bën pjesë në këtë koalicion ka vetëm interesa personale, ndjek një objektiv personal dhe cdo veprim e çdo votë shkon në ndihmë, si një minipatericë për Ramën. Ky është edhe mendimi i shkodranëve, kjo është e sigurtë”– tha Bushati.

Qarku i Shkodrës njihet si bastion i së djathtës, por në zgjedhjet e 2017 PD mori vetëm 5 mandate, 4 PS dhe 1 PSD eTom Doshit që u bashkua me PS. Një mandat e mori LSI por që në 2017 nuk ishte në koalicion me PD.