Hapen klinikat dentare, stomatologët në Shkodër: Kemi pasur shumë humbje

Këtë të hënë kanë hyrë në fuqi masa të tjera lehtësuese në kuadër të hapjes graduale ndaj masave të koronavirusit.

Berberët, qendrat tregtare dhe klinikat dentare janë disa nga bizneset që tashmë do i shtohen listës që do të nisin punën.

Në Shkodër mëngjesi i kësaj të hëne ka nisur në qetësi.  Gazetari Simon Shkreli bën me dije për Abc News se një pjesë e klinikave dentare tashmë janë hapur dhe në pritje të pacientëve të tyre.

Ndër të tjera ai thekson se pas kontaktit me disa nga mjekët stomatologë ato i kanë pohuar se gjatë gjithë kësaj periudhe kanë pasur humbje të mëdha. Gjithashtu stomatologët në Shkodër kanë theksuar se për shkak të mbylljes së kufinjve puna e tyre ka rënë, pasi një pjesë të madhe të pacientëve të tyre i kanë emigrantë.

Ndërkohë këtë të hënë janë shtuar listës së zonave të gjelbërta dhe 14 bashki të tjera duke bërë që lëvizja dhe masat kufizuese tashmë të jenë të përqëndruara në 6 bashki kryesore që janë Shkodra, Tirana, Kurbini, Kruja, Durrësi dhe Fieri. /abcnews.al