Greqia merr vendimin/ Ndalohet hyrja e shqiptarëve deri në 31 gusht…

Qeveria greke vendosi sërish të mbajë mbyllur kufirin me Shqipërinë për shkak të pandemisë. Ambasada e Greqisë në Shqipëri lajmëroi vendimin e marrë në datën 13 gusht.

Sipas këtij vendimi, shqiptarët nuk do të lejohen të futen në kufi deri më datë 31 gusht, duke e shtyrë kështu edhe me dy javë të tjera kufizimin.

Ambasada sqaroi edhe se cilat kategori përjashtohen nga ky rregull dhe si do të kryhet lëvizja e tyre.

“Sipas vendimit të qeverisë greke përjashtohen nga kufizimet poseduesit e pasaportes greke, të Kartës së Posaçme të Identitetit të Homogjenit dhe lejes së qëndrimit, personat që e kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi dhe te gjithë ata që hynë pas marrjes se lejës përkatëse për nevoja profesionale absolutisht të domosdoshmë. Hyrja e personave të mësipërm nga pikat kufitare te Kakavisë, që lejohet të hynë 750 persona në ditë, dhe të Kapshticës që lejohet të kalojnë 300 persona në ditë, nga ora 07:00 deri në orën 23:00, ose me aeroplan (fluturimi Tiranë- Athinë).”

Të gjithë ata që futen në Greqi, do të duhet të kryejnë karantinën 7-ditore. Në rast të kundërt, do të marrin gjobë 5 mijë euro. Nga ky rregull përjashtohen vetëm shoferat e kamionëve.

Në fuqi ngelet edhe detyrimi për të paraqitur testin negativ në kufi. Ai duhet të jetë kryer 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar. Kjo nuk vlen për shoferët e kamionëve që transportojnë mallra dhe për fëmijët e lindur nga viti 2011 e tutje.

Pjesë të dokumenteve që duhet të kenë shqiptarët që do të udhëtojnë janë edhe vërtetim diagnoze në anglisht dhe vërtetimi i plotësimit të formularit të posaçëm PFL, me kodin QR.

Ata që hyjnë në Greqi për udhëtime profesionale absolutisht të nevojshme dhe me pas dalin nga shteti grek, nuk do të mund të hyjnë përsëri në territorin Grek deri më 31 gusht.