Formohet koalicioni i parë i shqiptarëve në zgjedhet parlamentare në Malin e Zi…

Partia Demokratike e udhëhequr nga Fatmir Gjeka dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve nga Mehmet Zenka do të konkurojnë së bashku në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Malin e Zi që mbahen më 30 gusht të këtij viti, njofton LexoDrejt.

Realisht, arritja e këtij koalicioni sot shprehur me anë të një deklarate, është një marrëveshje midis pjesëve të ndara, vite më parë, të Unionit Demokratik të Shqiptarëve, që është koalicioni i parë i subjekteve shqiptare në zgjedhjet e fundgushtit.

Kujtojmë se pjesë e Unionit Demokratik të Shqiptarëve ishin edhe një pjesë e kuadrove të Forcës së Re Demokratike, përfshirë edhe kryetarin Nazif Cungu, transmeton LexoDrejt.

Deklarata e këtij koalicioni parasheh të parin në listë kandidatin e Partisë Demokratike që pritet të jetë Fatmir Gjeka, kryetar i kësaj partie. Koalicioni
përfshin ndarjen e pushtetit midis anëtarëve në mënyrë të barabartë.

Kështu nëse ky koalicion do të marrë vetëm një deputet, ai do të ndahet sipas parimit Partia Demokratike dy vjetet e para, Unioni Demokratik i Shqiptarëve gjysmën tjetër. Ndërkaq nëse subjekti i fundit do të ketë edhe në mandatin e ardhshëm postin e ministrit të pakicave, atëherë deputeti i Partisë Demokratike do të shfrytëzojë kohën e plotë të mandatit. Për gjysmë, do të ndahen edhe mjetet financiare të deputetit nga të dy partitë.

Duhet përmendur se Partia Demokratike në zgjedhjet e fundit lokale në nivel të komunës së Ulqinit ka rezutat shumë më të mirë- 7 këshilltarë se Unioni Deomokratik i Shqiptarëve-3 këshilltarë, por UDSH-ja është e organizuar edhe në komunat e tjera ku ka shqiptarë që nuk është karakteristikë për PD-në. Ky ka qenë kriteri bazë për marrëveshjen e arritur për të ndarë pushtetin e ardhshëm në dy pjesë të barabarta.

Këto dy subjekte vijnë nga dy koalicione të ndryshme në zgjedhjet e fundit parlamentare, raporton LexoDrejt.
Koalicioni i sapoformalizuar pret që të fitojë një deputet, ndërsa bën thirrje që t’i bashkohen edhe subjektet e tjera, kurse pritet që së shpejti të shpalosë programin zgjedhor.

Ky është koalicioni i parë i publikuar i partive shqiptare, kurse pritet që së shpejti të arrihen marrëveshje për koalicione të tjera. Në zgjedhjet e fundit paralamentare shqiptarët në Malin e Zi kanë konkuruar me tri lista të ndara që si rezultat ka prodhuar humbjen e votave dhe fitimin e vetëm një deputeti./LexoDrejt/.