
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, do të vizitojë nesër Shqipërinë për të marrë pjesë në Samitin e Gjashtë të Komunitetit Politik Evropian. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtori i Komunikimeve i Presidencës turke, Fahrettin Altun, i cili theksoi se gjatë vizitës, presidenti turk do të mbajë një fjalim në sesionin kryesor të samitit, që këtë vit zhvillohet me temën: “Evropa e Re në një Botë të Re: Uniteti – Bashkëpunimi – Veprimi i Përbashkët”.
Erdoğan pritet të diskutojë me liderët evropianë mbi sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e kontinentit, si dhe të ndajë qëndrimet e tij për zgjidhjen paqësore të konflikteve rajonale dhe globale.
Në këtë samit marrin pjesë krerët më të lartë të shteteve dhe qeverive nga vendet e BE-së, ato kandidate, si dhe përfaqësues të institucioneve evropiane, përfshirë drejtuesit e NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës.




