Ekspertët: TikTok dhe aplikacione të tjera në iPhone ju përgjojnë

Ekspertët e teknologjisë kanë paralajmëruar përdoruesit se aplikacioni TikTok në iPhone ju përgjon të dhënat personale në telefon.

Alarmi u ngrit nga studiuesit Talal Haj Bakry dhe Tommy Mysk, të cilët thonë se ka një listë me rreth 50 aplikacione të cilat tentojnë të vjedhin të dhënat tuaja nga celulari.

Ky zbulim erdhi pas sistemit të ri operativ të iPhone, IOS 14. Në versionin beta të këtij sistemi operativ, është krijuar një veçori që njofton përdoruesit e iPhone sa herë që një aplikacion tenton të hyjë në sistemet kyçe të telefonit, siç janë mikrofoni, kamera etj.

Nisur nga ky fakt, dy zbuluesit gjetën se janë 56 aplikacione që tentojnë të vjedhin të dhënat personale të përdoruesve të iPhone. Ata thonë se këto aplikacione ndërhyjnë në funksionin e ruajtjes së të dhënave momentale të telefonit (Clipboard). “Një aplikacion nuk ka arsye përse duhet të lexojë këto të dhëna”, shprehen Bakry dhe Mysk.

Pas këtij alarmi të ngritur nga studiuesit, reagoi edhe TikTok, duke pranuar ndërhyrjen në funksionalitetin e ruajtjes së të dhënave, por u justifikua duke thënë se kjo është mënyrë për të parandaluar SPAM. Por premtoi se do ta heqë këtë funksionalitet.

Në listën e aplikacioneve që ndërhyjnë në funksionalitetin e ruajtjes së të dhënave, janë edhe shumë agjenci botërore mediatike. Versioni IOS 14 i iPhone nuk është ende i disponueshëm, por nëse do të ketë të përfshirë veçorinë e njoftimit të përdoruesve kur aplikacionet tentojnë të hyjnë në sistemet kyçe të telefonit, atëherë shumë nga këto programe do të jenë nën kontroll.