Edi Rama flet për zhdukjen e Ervis Martinaj, POROSI drejtorit të Policisë: “Nëse është vrarë…

Kryeministri Edi Rama flet për herë të parë për fatin e biznesmenit të shumëkërkuar Ervis Martinaj, i cili prej një muaji rezulton i zhdukur. Duke qenë se ka shumë aludime për Martinajn, nëse është vrarë apo rrëmbyer, ai i la porosi Policisë të zbardhë ngjarjen.

Krah drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Edi Rama kërkoi nga Muhamet Rrumbullaku që të dhënat e hetimeve të bëhen publike sa më parë për popullin, nëse Ervis Martinaj është vrarë apo është gjallë.

“Policia e Shtetit akoma sot, tani që flasim, nuk e ka një përgjigje për fatin e njërit prej profileve më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri. Është e papranueshme, që me javë të tëra, mëngjeset dhe darkat e shqiptarëve, ekran më ekran dhe faqe më faqe, janë bërë si Big Brother i kronikës së zezë.

Jo u vra, jo s’u vra ai që ishte i shumëkërkuar nga drejtësia dhe çfarë nuk dëgjojnë njerëzit, lloj lloj legjendash, me luan, me bamirsa, me oligarkë, shto ujë e shto miell, si një serial absurd, për një nga figurat më të zeza të botës së krimit shqiptar. Policia e Shtetit sot nuk di ta thotë akoma ore u vra apo nuk u vra.

Kush e ka penguar ta thotë?! Drejtori i Policisë së Shtetit, që merr sot detyrën si një oficerët me eksperiencën më të gjatë në shkallët e karrierës policore, duhet të sigurohet që kjo dilemë të marrë fund sa më parë. Nëse i kërkuari është vrarë, t’i thuhet publikut që ky është vrarë. Nëse nuk është vrarë, të gjendet, të kapet dhe t’i jepet drejtësisë”, u shpreh kryeministri Rama.