Dyert hapur, por s’ka klientë, pronarët e dyqaneve: Po mendojmë mbylljen

Që prej datës 27 prill, një ndër disa bizneset që u lejuan të rinisin aktivitetin e tyre ishin dhe dyqanet e veshjeve.

Por pronarët shprehen se shitjet që kanë bërë gjatë kësaj periudhe lirie kanë qenë të pakta, për të mos thënë zero.

Kjo sipas tyre, vjen për shkak të orarit të kufizuar që kanë për të ushtruar aktivitetin e tyre si dhe kohës së vënë në dispozicion për çdo qytetar.

“Vetëm ne që vijmë në dyqan. Nuk ka më njerëz në rrugë, ka marrë fund çdo gjë, se di si do vazhdoj situate d.m.th jemi hapur, por jemi mbyllur”, shprehet një pronar dyqani.

“Kemi që në datë 27 që e kemi hapur dyqanin dhe nuk kemi pasur shumë punë nuk ka shumë njerëz, lëvizje ka po njerëzit nuk e kanë mendjen për të blerë rroba, dalin për të bërë pazaret, ushqimet”, tregon një shitëse.

“Shpresojmë që të paktën të ketë një lëvizje ose ndryshim tek pjesa e orarit, që ne të jemi me aktiv dhe produktiv. Aktiviteti është i hapur fizikisht por nga ana e produktivitetit ose llogaritjes së xhiros, jemi shumë mbrapa, gati zero”, thotë një biznesmene.

Mbyllja e kufijve ka qenë një tjetër problem që këtyre tregtarëve u është dashur të përballen. Në pamundësi për të udhëtuar drejt vendeve ku furnizohen, në dyqanet e tyre ka vetëm veshje të sezonit të dimrit.

“Nuk funksionon asgjë, nuk e di se çfarë planesh kanë, çdo gjë mbyllur kufijtë mbyllur, ne nuk lëvizim dot, me orar të kufizuar. Kam përshtypjen për çdo shqiptar duhet dita më shumë se 24 orë për të punuar, nuk na dalin 24, jo më 6 edhe 7 edhe…”, tha një pronar dyqani veshjesh.

“Rrobat që janë në dyqan janë rroba që janë marrë para karantinë edhe nuk ka qenë mundësia që të bëjnë furnizimin, pasi kufijtë janë mbyllur dhe rrobat nuk janë të përshtatshme për stinën e verës, thotë një shitëse.

“Jemi në një stinë që në dyqan nuk gjenden artikujt që duhet të gjenden, që i takojnë stinës, kështu që ka qenë shumë e vështirë”, tregon pronarja e një dyqani veshjesh.

Shumë prej tyre duhet të paguajnë qiratë, ndaj nëse kjo situatë do të vazhdojë, ata shprehen se, do të jenë të detyruar të mbyllin bizneset e tyre. Ndërkohë shumë të tjerë, duket se kanë nisur që tani të ndjejnë krizën ekonomike, pasi shumë dyqane i kanë qepenat e mbyllur e në disa raste këto hapësira lëshohen me qira.