Drejtori i Tatimeve Shkodër sqaron punonjësit për pagesat…

Drejtori rajonal i tatimeve në Shkodër Herion Jashari ka sqaruar të gjithë ata punonjës që kanë protestuar këto ditë përpara kësaj drejtorie për shkak se nuk kanë marrë ende pagën e luftës.

Drejtori Jashari thotë se ata që janë parguar nga puna përpara datës 12 mars nuk janë përfitues të pagës së luftës por gjithsesi nuk janë të penalizuar plotësisht sipas tij sepse mund të përfitojnë pagën e papunësisë tek drejtoria rajonale e shërbimit kombëtar të punësimit.

I pyetur se a është e drejtë që punonjësit e larguar para datës 12 mars, pra me 9, 10 ose 11 mars të përjashtohen pasi në Shkodër konkretisht është shfaqur rasti i parë në gjithë Shqipërinë me COVID-19 dhe largimi i tyre nga puna është i njëjtë nga koronavirusi, drejtori Jashari përgjigjet se ky shqetësim është i drejtë por tatimet nuk mund të interpretojnë Vendimin e Këshillit të Ministrave.

Ajo që pritet është që qeveria të nxjerrë një paketë të tretë për këta punonjës të larguar para datës 12 mars dhe të përjashtuar padrejtësisht nga paga e luftës.

Disa biznese të mëdha kanë mbajtur në punë punonjësit edhe pas datës 10 prill dhe më pas kanë mbyllur subjektet e tyre ndërsa edhe për këtë shtresë pritet që të gjendet mënyra për të përfituar.

Janë një numër i konsiderueshëm punonjësish të cilët vazhdojnë që të kenë problematika nga më të ndryshmet dhe në pritje të një zgjidhjeje nga institucionet për të përfituar si gjithë të tjerët.