“Do rrisim pagat e mjekëve dhe infermierëve”/ PD: Mashtrimi i radhës i Edi Ramës, njësoj si me listat e hapura

Ish-deputeti demokrat Bardh Spahia, me anë të një deklarate për mediat deklaroi se premtimi i qeverisë për rritje të pagave për mjekët dhe infermierët është një mashtrim,  sikundër ai për lista të hapura.

Spahia thekson se Rama gënjen, në kohën që qeverisja është në agoninë e vet dhe kur do të mbarojë përfundimisht mandatin më 25 prill.

Postimi i ish-deputetit Bardh Spahia:  

EDI RAMA NJEH VETEM MASHTRIMIN.

Premtimi për rritje pagash për mjekët i Edi Ramës është njësoj si premtimi për listat e hapura: mashtrim.

Me Edi Ramën në krye të qeverisë nuk ka për të patur rritje të vërtetë pagash për mjekët. Deklaratat e Ogerta Manastirliut dhe Elisa Spiropalit për rritjen e rrogave të mjekëve janë zgjatje e agonisë së një pushteti të kalbur, gati për t’u shembur në 25 Prill.

Ka një muaj që flasin për rritje pagash, por nuk kanë asgjë konkrete, sepse modeli i vetëm i Edi Ramës është mashtrimi! Po i mashtron mjekët dhe infermierët njëlloj siç mashtroi shqiptarët për shëndetësi falas.

PD ka një projekt konkret për rritjen e pagave, 1200 euro/muaj për mjekët, 700 euro/muaj për infermierët. Është një nga projektet tona më të rëndësishme për t’u dhënë shqiptarëve një sistem shëndetësor, që punon për ta, jo për një grusht njerëzish.