Dibra dhe Elbasani, qarqet më të varfra në vend. Tirana dhe Korça, më të pasurat…

Familjet në Qarkun e Dibrës dhe të Elbasanit kishin konsumin më të ulët në vend e për rrjedhojë shpenzimet më të ulëta nga buxhetet e tyre mujore vitin e kaluar, duke ruajtur të njëjtën renditje në raport me vitin 2018.

Në anën tjetër, Qarku i Tiranës dhe i Korçës  kishin shpenzimet më të larta. Korça zhvendosi Durrësin, i cili më 2018 renditej i dyti pas Tiranës për nivelin e lartë të jetesës, por tërmeti i 26 nëntorit 2019 dëmtoi rëndë ekonominë e qarkut.

Të dhënat i referohen Anketës së Buxhetit të familjeve që publikoi sot INSTAT.

Në vitin 2019, Qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum. Një familje në Qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 98.402 lekë në muaj.

Qarqet me shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas Qarkut të Tiranës, janë Korça me 82.224 lekë dhe Fieri me 79.620 lekë në muaj për familje.

Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë Qarku i Dibrës me 67.805 dhe ai i Elbasanit me 68.903 lekë në muaj për familje.

Rritjen më të madhe të shpenzimeve e paraqet qarku i Dibrës me 12,3%, ndjekur nga qarku i Fierit me 9,2%.

Qarqet që kanë pësuar ulje të shpenzimeve për konsum janë: Durrësi me 1,6% dhe Vlora me 0,5%.

Në vitin 2019, numri mesatar i anëtarëve të familjes është 3,7. Qarku me numrin më të madh të anëtarëve në familje është Kukësi me 4,3 anëtarë, ndërsa Gjirokastra është qarku me numrin më të vogël të anëtarëve në përbërjen e familjes, me 3,2 anëtarë.

Në 2019, në familje të përbëra nga një person i vetëm, grupi ushqim zë peshën më të madhe prej 44,8 %, krahasuar me tipet e tjera.

Pesha më e lartë për shpenzimet për transport është regjistruar në strukturën e buxhetit të Familjeve të përbëra nga tri ose më shumë të rritur pa dhe me fëmijë, përkatësisht 6,5 dhe 6,4 %. Në Familje të përbëra nga tri ose më shumë të rritur me dhe pa fëmijë, në varësi, pesha që zënë shpenzimet për arsim është më e lartë krahasuar me tipet e tjera.

Anketa e Buxhetit të Familjes 2019 u krye nga INSTAT gjatë gjithë vitit, me një kampion prej 9.360 familjesh. Në përfundim të vrojtimit u intervistuan rreth 7.235 familje të shpërndara në mënyrë uniforme në të gjithë territorin e Shqipërisë