Dashuronte filozofinë por u bë mjeke, Nadire Suma e gdhin një herë në tre ditë në spitalin e Shkodrës

Nga: Anila Mollaj

Një herë në tre ditë, një grua shtatshkurtër me flokë bjonde e gdhin në spitalin e Shkodrës.

Edhe pse është 61 vjeçe, Nadire Suma shkon në ambientet e spitalit jo si paciente, por si doktoreshë.

‘Meqënëse jemi pak mjekë, çdo tre ditë bëjmë shërbim 24 orë, që është pak e vështirë, por është mungesa e mjekëve’, shprehet ajo. Mjekja që takova më bëri të kuptoj se dëshira për të shpëtuar jetë është më e madhe se çdo tjetër, ndonëse fillimisht nuk ishte dëshirë e saj.

Mjekësia nuk ishte një prej ëndrrave të saj, ndonëse nënën e kishte infermiere. Ajo ia nguliti në kokë profesionin e bukur të mjekut, të cilin nuk arriti ta studionte në kohën e saj për shkak të kushteve të vështira.

‘Faktikisht, nuk kisha shumë dëshirë të bëhesha mjeke. Por meqë atë vit (1981) që mbarova unë shkollën nuk kishte të drejtë studimi për Filozofi, prandaj zgjodha mjekësinë. Nëna e ka pasur me pasion infermierinë. I ka pëlqyer shumë profesioni i mjekut, ndoshta më shumë se unë’, rrëfen ajo.

Edhe specializimin që bëri, nuk e kishte plotësisht zgjedhje të saj, por nuk ndihet aspak e penduar për të. Nadirja të bën të besosh shprehjen se ‘Jo të gjitha ëndrrat mund të realizohen’.

Mjekja vijoi studimet për patologji të përgjithshme me qëllimin që të bëhej kardiologe, por jeta i solli një rrjedhë tjetër.

‘Me patologji të përgjitshme mund të bëheshe kardiolog ose pneumolog. Unë kisha qejf për kardiologji, por në atë kohë ishin vendet e zëna. Atëherë mu ofrua vendi i pneumologjisë, të cilin e pranova dhe më pëlqeu’, shprehet Nadirja.

Përveç mjekësisë, Nadirja gëzon edhe një familje mjaft të madhe. Ajo solli në jetë dy djem dhe sot gëzon një mbesë e një nip, por është në pritje të një mbese tjetër. Faktin që është bërë gjyshe e konsideron si kënaqësinë më të madhe të jetës.

Pasionin që fitoi gjatë viteve të shërbimit si mjeke ia trashëgoi edhe djemve, njëri prej të cilëve është dentist e tjetri punon si administrator në një klinikë private.

Teksa rrëfen historinë e jetës, nuk lë pa përmendur se sa mirë i përballoi rastet kur djemtë sëmureshin dhe mundohej me çdo kusht që të ruante qetësinë.

‘Duke u bazuar në profesionin tim si mjeke, jo si nënë, nuk e kam ndjekur fëmijën tim si nënë, por si pacient. Jam munduar të mos bëj diferencime që të them, ky është djali im, duhet të kurohet, por është fëmijë i sëmurë që duhet të zbatojë rregullat e mjekësisë’, thotë ajo.

Këtë sjellje e ka fituar gjatë viteve të shërbimit, ku ka shpëtuar shumë jetë njerëzish. Megjithatë, frika dhe pasiguria nuk i ka munguar, së bashku me gabimet që i cilëson njerëzore.

Frika ekziston gjithmon. Frikë ke për pacientin, frikë ke për jetën e tij, frikë ke për pamundësinë për të vendosur diagnozën e saktë. Frikë ke për mënyrën e dhënies së mjekimit. Të gjitha këto frikëra i kemi bashkëjetuese në kuptimin e mirë të fjalës, të mos gabojmë, pavarësisht se njerëzit gabojnë dhe unë jam si të gjithë të tjerët’, rrëfen Nadirja.

Doktoresha thekson se forca dhe vullneti është arsyeja e fortë që e mban ende në punë, ndonëse vitet e shërbimit i kanë përfunduar prej një viti.

‘E ndjej veten të aftë për të punuar, jam në gjendje të mirë. Nuk e di çfarë do të bëja në pension’, tregon Nadirja. Por nuk është kjo arsyeja e vetme.

Të rinjtë e ditëve të sotme nuk e kanë të lehtë të bëhen mjekë, por të jenë pjesë e stafit të Spitalit Rajonal të Shkodrës nuk është e vështirë. Një pjesë e mjekëve që janë në pension vijojnë të shërbejnë sepse të rinjtë synojnë Tiranën.

‘Spitali i Shkodrës po mbetet pothuajse pa mjekë dhe pa infermierë. Shumica nuk vijnë, rinia e sotme, nuk ju pëlqen Shkodra, qyteti ku jetojnë, ku kanë lindur, ku kanë familjet. Në fakt, kanë ëndrrat e tyre dhe jetojnë në Tiranë’, tregon Nadirja.

Mesazhi i rëndësishëm që jep ajo është se diferenca mes Tiranës dhe Shkodrës sa i përket mjekësisë është shumë e vogël. Diferencën e bën vetëm bota e jashtme ku kushtet dhe standardet janë më të larta se në vendin tonë.

Sigurisht që korrupsioni është faktori më i rëndësishëm që flitet kudo, madje një pjesë e madhe thonë, ‘mjeku nuk kryen shërbimin po nuk i fute lekun tek xhepi’.

Doktoreshë Nadirja e sqaron se korrupsionin në mjekësi e bën sistemi sepse pjesë më e madhe e tyre kanë qenë në kohën e Partisë së Punës. Ndër faktorët kryesorë përse mund të korruptohen mjekët, janë rrogat e ulëta.

‘Një mjek që ka studiuar 6 vjet plus 4 vjet specializim, të dalë me një rrogë sa kushdo tjetër, atij nuk i del koha të kthejë në vend këtë investim që ka bërë, jo më të mendojë për të ardhmen, për krijim familje, për kushtet. Kjo është ajo që ndoshta mjeku quhet abuzues’, tha ajo.