“Çuna, hajdeni se e fryva! Ishte koha kur nuk kishte teknologji…

“Çuna, hajdeni se e fryva! Do t’i zhdëpim sot ata të lagjes tjetër se herën e fundit na mundën kot fare. Mbani atë që gjuan fort nga larg dhe e ngre topin shumë! Aman, mos i ktheni b***n topit se nuk ju ha”.

Kjo ishte një pjesë e strategjisë, një pjesë e planit përpara një ndeshje mes lagjesh. Trajneri ishte edhe kapiteni, ai që dinte gjithçka për kundërshtarin dhe sa herë topi ngecte diku “urdhëronte” më të lehtin në peshë të shkonte ta rikuperonte.

Kampionati ynë ishte ai, një sezon na priste mes gjunjëve të copëtuara, rrobave të grisura, të bërtiturave të prindërve tanë dhe ndonjë shuplakë, apo ato justifikimet e ditës së hënë në shkollë sepse kishim qenë (gjasme) sëmurë të dielën! Në fakt, detyrat nuk i kishim kryer dhe fletorja qëndronte e hapur me stilolapsin sipër… sepse kishim gjëra më të rëndësishme: si… FUTBOLLI! Ankthi dhe emocioni përpara një ndeshje nuk na linte as të mendonim për shkollën…Shishe me ujë pranë, dikush pak bukë me domate dhe djath shihte ndeshjen dhe na shtinte gjithë zilinë e botës, por ajo që mund të “shijonim” në atë moment ishte vetëm pluhuri që ngrihej dhe ndonjë pikë djerse që na rridhte… Nuk kishte arbitër, thjesht debatohej me gishta në vesh për një të ashtuqujatur penallti, sepse faullat nuk “vërshëlleheshin”. Rrjeta imagjinare caktohej me sy të lirë. Portieri ishte gjithmonë ai që “detyrohej” të luante aty dhe atij të cilit i bërtisnim më shumë! Kjo ishte loja jonë, fëmijëria jonë, kampionati ynë, edicioni ynë! Nuk fitonim kupa, nuk festonim në qendër përpara tifozëve, por mjaftoheshim me faktin që dita në verë zgjatej më shumë dhe sezoni i shirave kishte përfunduar, duke na hequr të paktën baltën! Ishte më shumë se kaq, kishte më shumë se kaq, por e sigurt është që ishte më bukur se sot! (Anton Cicani)