Çmimi i arit arrin shifra rekord…

Çmimi i arit ka arritur shifra rekord, për shkak se investitorët po nxitojnë të gjejnë “streha” të sigurta për të “parkuar” paratë e tyre, ndërsa shqetësimet për një rimëkëmbje ekonomike të globit rriten për shkak të shtimit të rasteve me koronavirus në botë.

Ari kapi çmimin 1944 dollarë për onz, duke thyer rekordin prej 1921 dollarë për onz, të vendosur në vitin 2011.

Deri tani, këtë vit, çmimi i arit është rritur me 27%. Edhe argjendi ka pësuar rritje të çmimit, duke arritur në 24,21 dollarë për onz.

Një prej arsyeve kryesore të rritjes së çmimit të arit është parashikimi se Rezerva Federale do të mbajë të ulëta normat e interesit për një periudhë më të gjatë kohe, për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike, sipas Hussein Sayed, shef i strategjive të marketingut në kompaninë FXTM.