Çmimet u rritën në shkurt, inflacioni arriti nivelin më të lartë në shtatë muaj…

Shpërndaje

Inflacioni në vend ka shënuar rritje gjatë muajit shkurt, duke arritur nivelin më të lartë në shtatë muajt e fundit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), inflacioni arriti në 2.5%, nga 2.3% që ishte në muajin janar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rritja është edhe më e dukshme, pasi në shkurt të vitit të kaluar inflacioni ishte në nivelin 1.9%.

Rritja vjetore e çmimeve gjatë shkurtit 2026 është ndikuar kryesisht nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, me një rritje prej 5.3%. Pas tij renditen “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4.3%, “Argëtim, sport dhe kulturë” me 4.2%, “Restorante dhe shërbime akomodimi” me 2.4%, si dhe “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 2.3%. Ndërkohë, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” janë rritur me nga 2.2% secila, ndërsa “Shërbimi arsimor” me 1.9% dhe “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.7%.

Në kontributin ndaj inflacionit total, ndikimin më të madh e ka pasur grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, me +1.06 pikë përqindje, i ndjekur nga “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0.60 pikë përqindje.

Ndikime më të vogla kanë ardhur nga disa kategori të tjera, si “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0.15 pikë përqindje, “Restorante dhe shërbime akomodimi” me +0.13 pikë përqindje dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me +0.11 pikë përqindje. Po ashtu kanë kontribuar edhe grupet “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” (+0.10), “Argëtim, sport dhe kulturë” (+0.08), “Shërbimi arsimor” dhe “Sigurime dhe shërbime financiare” me nga +0.06 pikë përqindje secili.

Sipas parashikimeve të Banka e Shqipërisë, inflacioni pritet t’i afrohet objektivit prej 3% gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

Megjithatë, zhvillimet ndërkombëtare, veçanërisht tensionet dhe lufta në Lindjen e Mesme, së bashku me rritjen e çmimeve të naftës, mund të ndikojnë në një rritje të mëtejshme të inflacionit. Nëse çmimet e karburanteve vijojnë të rriten, presionet inflacioniste gjatë muajve të ardhshëm mund të shtohen.

Aktualisht, norma bazë e interesit në Shqipëri qëndron në nivelin 2.5%, por skenarët e rinj ekonomikë mund të detyrojnë autoritetet monetare të rishikojnë parashikimet dhe të marrin masa të reja në politikën monetare.

Shpërndaje