Cili është posti i rëndësishëm që mbante Benet Beci në qeverinë Berisha…Sot kandidat i PS për Shkodrën…

I renditur i treti në listën shumë-emërore të kandidatëve për deputetë nën siglën e Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës, Benet Beci, i cili së fundmi ka mbajtur drejtimin e Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, vjen para elektoratit me një të shkuar të gjatë në poste drejtuese. Beci, nuk ka qenë i angazhuar vetëm në kohët e fundit kur qeveris Rilindja, por gjithashtu njihet për poste të rëndësishme drejtuese edhe para 2013-ës, periudhë kur e djathta me në krye Sali Berishën drejtonte vendin.

Kur Partia Demokratike erdhi në pushtet, 16 vite më parë, Benet Becit iu besua posti i drejtorit Ekzekutiv në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, post të cilin e ka mbajtur jo pak, por për 14 vite me radhë, deri në vitin 2019. Pas largimit, Beci mori emërim të ri si Drejtor i Përgjithshëm i KESH-it. Beci, gjithashtu ka qenë edhe anëtar i Komitetit të Kontrollit të Bankës së Kreditit të Shqipërisë për periudhën 2005-2008.

Kur zgjedhjet e 25 prillit ishin afër dhe emrat që do të ishin në lista kishin filluar tashmë të diskutoheshin, një investim që mbanë firmën e Benet Becit erdhi nga Komani. Në fillim të shkurtit është bërë prezantimi i projektit për ndërtimin e aksit rrugor Qafë Qelë-Koman, i cili pritet të përfundoj në harkun kohor të dy viteve. Projekti nuk do t’i shërbej vetëm KESH-it, por njëkohësisht edhe 10 mijë banorëve përreth, të cilëve pritet t’u lehtësohet lëvizja jo pak.

HEC-et e Vau Dejës dhe Komanit pritet të vitalizohen, ndërsa ekzistojnë tashmë projekte që pritet të vijnë në jetë, të paktën për dy mole tek liqenet respektive. Këto do të jenë jo pak shtysa për zhvillimin e turizmit në këto hapësira.

KESH ka bërë investimin e parë në Shqipëri, konkretisht në Shkodër, të eksperimentimit të energjisë nga panelet diellore. Në dhjetor të vitit të kaluar është vendosur një lule e mençur diellore është vendosur në qendër të qytetit, e cila prodhon energji për ndriçim.

I renditur i treti në listën e PS në Shkodër, emri i Benet Becit duket se do të jetë automatikisht pjesë e Parlamentit të ri, duke parë edhe trendin e votës në qark. PS në Shkodër pretendon të paktën katër mandate, duke ruajtur në këtë mënyrë pozitat e katër viteve më parë./RealitetiPost/