Çfarë do të ndodhi me pagat e luftës? Kryeministri Rama tregohet i prerë

Kryeministri, Edi Rama ka bërë të ditur se pavarësisht lehtësimit të masave dhe hapjes së bizneseve, paga e luftës do të vijojë të shpërndahet.

Ai bëri apel për ata që nuk kanë aplikuar akoma që t’i drejtohen e-Albania, e cilësoi si instrumentin e garantimit të suksesit në fazën e parë të luftës.

“Kam dëgjuar komente dhe fjalë boshe të këtyre ventilatorëve mediatik se ne i hapkemi bizneset për të mos paguar. Ne po vazhdojmë dhe do të vazhdojmë për të paguar pagat e luftës edhe për ata që janë në punë. Kategoria e pagës së parë, që ende tani nuk është në punë janë vetëm baret dhe restorantet. Ato lokalet që janë biznes i vogël do të hapen ditën e hënë dhe do të vazhdojnë të paguajnë. Të gjithë do të marrin atë që u takon, kjo është pak por e sigurt. Nuk ka rëndësi fare se u hap ose se normaliteti kthehet”, tha kreu i qeverisë.

Duke iu referuar shifrave, z. Rama tha se, deri tani është shpërndarë një fond prej 7.5 miliardë lekë për pagat e luftës.

“Nuk janë pak por dhjetëra mijëra. Sot që flasim 7.5 miliardë lekë të paguara që kanë shkuar në arkën e familjeve dhe do të vazhdojmë sepse paketat kanë ende një pjesë të financave në dispozicion për të shpërndarë”, përfundoi kreu i qeverisë.