Bizneset e vogla viktima të pandemisë COVID-19, 32 mijë mbyllën qepenat, 44 për qind falimentuan…

Ndër viktimat më të mëdha ekonomike nga pandemia COVID-19 është biznesi i vogël, rimëkëmbja e të cilit duket e vështirë.

Pasojat reale të krizës evidentohen që nga numri i bizneseve të mbyllura, mbi 32 mijë, 98% prej tyre ishin subjekte të vogla. 

Por edhe bizneset që i kanë shpëtuar uljes së qepenit deri më tani, po përballen me vështirësi të shumta. Euronews Albania dëgjoi disa prej shqetësimeve të tyre, që kryesisht lidhen me uljen e ndjeshme të klientelës. 

“Këta muaj janë pa punë fare, jemi të gjithë pa punë, të gjithë njësoj”, thotë një tregtar.

“Ka rënë goxha, gjithë tregu bosh është”, shton një tjetër.

Referuar të dhënave nga Drejtoria e Tatimeve muaji korrik ka qenë muaji më i rëndë i shumë bizneseve të vogla. Numri i subjekteve zbriti në 53.6 mijë në korrik.  

Numri i bizneseve pa TVSH pati një rënie prej 44%. Mbyllja e këtyre bizneseve të vogla ka lënë pa punë 42 mijë persona në krahasim me shkurtin, përpara se gjithçka të kthehej përmbys nga pandemia.

Në total, e 9% e të punësuarve në vend rezultojnë të kenë humbur punën gjatë periudhës së pandemisë, pa përfshirë bujqësinë.

73% e humbjeve të vendeve të punës kanë ardhur nga subjektet e vogla.

Të vegjlit kishin nisur ciklin e rënies që para krizës së shkaktuar nga pandemia.

Në të tilla kushte ata shpresojnë të kenë një vëmendje të shtuar nga shteti, e në mungesë të kësaj vëmendje, të paktën situata me COVID-19 të mos përkeqësohet.