Bie numri i turistëve në Theth, pandemia redukton vizitorët për në destinacionin malor

Pavarësisht uljes së numrit të vizitorëve për shkak të pandemisë, Parku natyror i Thethit mbetet ndër destinacionet turistike më të frekuentuara në veri të Shqipërisë.

70 kilometra nga qyteti i Shkodrës, Thethi mirëpret çdo vit mijëra vizitorë që udhëtojnë në vendndodhjen mes alpeve shqiptare për të eksploruar natyrën dhe traditën e zonës.

Pandemia COVID-19 ka sjellë rënie të numrit të turistëve, duke ndikuar drejtpërdrejtë në ekonominë e zonës.

Fatmir Berisha, pronar i një prej bujtinave në Theth shprehet se ky sezon turistik ka qenë i vështirë. Ai tregon se turistët kanë qenë kryesisht vendas dhe të paktë në numër.

“Normale që ka ndikuar shumë, por shpresojmë të rregullohet për vitet e tjera. Gushti, mbase dhe shtatori ka nisur sado pak të ringjallet, se qershor, korri dhe maj ishin zero”, – thotë Fatmir Berisha, pronat i bujtinës “Berisha”.

Teksa numri i të infektuarve në vend vijon të jetë në shifra të konsiderueshme, Thethi ngjan një oaz për t’u veçuar nga realiteti.

Shtegu Theth-Valbonë mbetet më i preferuari ndër turistët, ndërsa ndër destinacionet më të vizituara janë dhe Syri i Kaltër dhe Ujëvara. 

“Absolutisht pika më e vizituar mbetet shtegu i kalimit Theth-Valbonë, por nuk mungojnë edhe pikat e tjera, sidomos për turistët e aventurës që bëjnë majën e Jezercës e disa pika të tjera, mos të flasim pastaj për Syrin e Kaltër dhe Ujëvarën e Thethit, që janë dy pikat më të vizitueshme për çdo turist që vjen në Theth”, tregon Age Martini, punonjëse e  ADZM-së.

Drejtori i Zonave të Mbrojtura në Shkodër, Agim Dardha, deklaroi se duhet një kujdes për këtë zonë, pasi numri i lartë  i turistëve, rrit rrezikun e dëmtimit të habitateve.

Duke qenë se është turizëm natyror vizitoret tentojnë të vizitojnë shtigjet, por në këtë mënyre dynden dhe ndotin natyrën. Kemi kërkuar të gjejmë një mundësinë që të pastrohet jo vetëm qendra e fshatit, por edhe të gjitha shtigjet”, shprehet Agim Dardha, drejtor i ADZM-së.