BE kufizime emigrantëve për punë, penalizohen Shqipëria dhe Kosova

Kriza e papunësisë në vendet e Bashkimit Europian pritet të penalizojë shtetasit nga Ballkani Perëndimor, mes tyre shqiptarët që emigrojnë për punë drejt Gjermanisë. Aplikantët brenda BE-së mund të jenë më të favorizuarit pasi rregullorja e vjetër për rajonin skadon këtë fundvit.

Për shtetasit nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi duke nisur nga viti i ardhshëm do të ketë kufizime për emigrimin për qëllime pune drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së.

Me rritjen e papunësisë për shkak të krizës së kovidit të ri, Bashkimi Europian po mendon t’i japë fund rregullores pesëvjeçare që lejon emigrantët e Ballkanit Perëndimor të ushtrojnë ligjërisht profesionet e tyre për nevojat e tregut europian.

Por nga 2021, prioritet për plotësimin e vendeve boshe të punës do u jepet forcave vendës të punës dhe punëkërkuesve përbrenda unionit.

Nga partia CDU-CSU është kërkuar zgjatja me dy vite e rregullores aktuale e cila skadon këtë vit.

Propozimet e tyre egjithatë parashikojnë më pak se 15 mijë persona nga Ballkani Perëndimor që mund të emigrojnë në Gjermani për qëllime pune pas kësaj periudhe.

Sipas një deklarate të zëdhënësit të Bundestagut për gazetën gjermane “Velt am Zontag”, pandemia e ka rënduar mjaft ekonominë e vendit duke e çuar me 600 mijë numrin e të papunëve në një vit, ndaj kufizimet për emigrantët nga Ballkani janë bërë të detyrueshme.

Rregullorja për Ballkanin Perëndimor u prezantua pesë vite më parë duke lejuar punonjësit nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia apo Bosnjë-Hercegovina që të emigrojnë ligjërisht në Gjermani nëse dispononin një ofertë pune edhe pa pasur profesion.

Shumë prej tyre punësohen në sektorët e ndërtimit, infermierisë apo kateringut, dhe në gjysmën e rasteve në pozicione më të specializuara.

Por nga momenti i krizës së koronavirusit në muajin mars, Berlini raporton se numri i të papunëve me shtetësi të huaj është rritur ndjeshëm me gati 24 për qind.

Në vitet e para kur rregullorja hyri në fuqi, mes 2015-ës dhe 20-17-ës, më shumë se 8,700 shtetas nga Shqipëria u pranuan të punojnë në Gjermani, përqindje kjo ndër më të ulëtat mes vendeve të rajonit, gati pesëfishin më ulët krahasuar me aplikantët nga Kosova dhe 3-fishin më pak sesa ata serbë.

Gjermania ndër vite ka qenë një prej destinacioneve kryesore të emigrantëve shqiptarë, duke tërhequr në katër vitet e fundit tri herë më shumë profesionistë, si mjekët, infermierët, apo edhe ekspertë të informatikës.

Në vitin 2019, sipas shifrave të INSTAT-it, në Gjermani jetonin dhe punonin mbi 50 mijë emigrantë shqiptarë.