Basha: Rama e kishte mendjen te shfaqjet në ekran jo të siguronte testimet

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka akuzuar edhe njëherë kryeministrin Rama si përgjegjës të situatës Covid-19 me rastet e shumta që janë regjistruar ditët e fundit.

Basha shkruan se në vend të kryheshin testime si në çdo vend tjetër ne do ta dinim ku dhe si po përhapet virusi. Sipas tij kjo nuk u bë megjithëse u kërkua në mënyrë të vazhdueshme nga opozita.

“Nëse Rama do të kishte bërë testime si në çdo vend tjetër, ne do ta dinim ku dhe si po përhapet koronavirusi. E kam ngritur këtë çështje me qindra herë, javë pas jave duke nënvizuar se testimi është element shumë i rëndësishëm edhe për strategjinë e daljes. Por Rama e kishte mendjen tjetërkund: te shfaqjet dhe zdërhalljet me orë para ekranit si narcisti para pasqyrës, tek tenderat sekretë me miliona euro vjedhje në kohë pandemie, te pagesat nga taksat e shqiptarëve për inceneratorët dhe landfillet e Bandës së Lushnjës, dhe jo të siguronte testimet e duhura apo të mbështeste qytetarët në vështirësi dhe ekonominë në krizë të thellë. Sot të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se kërcënimi më i madh për shëndetin e tyre dhe për ekonominë e tyre është RAMAVIRUSI: ai është e keqja e vendit.” – shkruan Basha në Twitter.