Aplikimet për azil/ Shqiptarët, rekord në qershor!

Aplikimet për azil të shqiptarëve kanë shënuar tendencë rritëse në muajin qershor, pas një rënie të fortë në prill dhe maj.

Revista “Monitor”, raporton se në qershor, kur rifilloi dhe hapja graduale e fluturimeve dhe udhëtimeve nga toka, rezulton nga të dhënat e Zyrës Evropiane të Azilantëve (EASO), se kishte 394 aplikime për azil, nga të cilat 73% ishin aplikime për herë të parë dhe pjesa tjetër riaplikime.

Në krahasim me muajin maj, kur kishte vetëm 90 aplikime në total, ka më shumë sesa katërfishim. Pavarësisht vështirësive për të lëvizur dhe faktit që shtetasit e Shqipërisë nuk u lejuan të udhëtojnë e fluturojnë në vendet e BE-së, në Qershor, sërish aplikimet për azil nga Shqipëria mbeten më të larta nga të gjitha shtetet e Ballkanit. Pas nesh, renditen shtetasit e Kosovës, me 185 kërkesa për azil, të ndjekur nga Serbia me 134, Bosnja me 94, Maqedonia me 44  dhe në fund Mali i Zi, 10 aplikime.

Në janar dhe në shkurt, kur situata e lëvizjeve ishte normale, mesatarisht kishte më shumë se 1000 aplikime në muaj për azil nga shqiptarët në një nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa në qershor, aplikimet arritën në gati 40% të nivelit të para krizës.

Në total, për 6 mujorin, rreth 3400 aplikime nga shqiptarët për azil, nga të cilat rreth 20% ishin aplikime. EASO thekson se niveli i riaplikimeve nga Shqipëria është i lartë, ndonëse vendi renditet ndër shtetet me normat më të larta të mospranimit, së bashku me vende si Bangladesh, Gambia, Georgia, India, Kazakhstan, Moldavia, Serbia, dhe Ukraina.

Në krahasim me 6 mujorin e një viti më parë, aplikimet kanë rënë me 72%, si rrjedhojë e bllokimit të lëvizjeve pas pandemisë së Covid-19.