Angoni: Qarku i Shkodrës po përballet me 11 vatra zjarri aktive…

Qarku i Shkodrës po përballet me 11 vatra zjarri aktive.

Temperaturat e larta që po shoqërojnë stinën e verës, kanë rritur mundësinë për rënie të zjarreve në pyje e kullota, duke shtuar këtu problematikën e zjarreve të qëllimshme të shkaktuara nga pakujdesia apo më shumë edhe nga keqdashja e banorëve të vetë këtyre zonave.

Në këtë kuadër, inkurajoj publikisht, Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, të marrë të gjitha masat për gjetjen dhe kapjen e autorëve të vënies së zjarreve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë.

Gjatë gjithë muajit Korrik edhe në vazhdim, Sektori i Emergjencave Civile pranë Prefekturës Shkodër, ka qenë dhe do të vijojë të jetë në gatishmëri të plotë për të dhënë mbështetjen e pakursyer si autoriteti koordinues, me qëllim që të mundësojë zvogëlimin e kësaj fatkeqësie natyrore.

Dua të theksoj, se gjatë gjithë kësaj periudhe përveç koordinimit dhe menaxhimit të situatës së krijuar në mënyrë të pandërprerë me të gjithë bashkitë e qarkut, po monitorojmë çdo ditë edhe në terren dhe po nxisim angazhimin e të gjithë strukturave të marrin përgjegjësitë e tyre në këtë drejtim.

Marrë në konsideratë angazhimin dhe komunikimin në mënyrë të vazhdueshme me të gjithë bashkitë e qarkut, vlen të përmendet se disa prej tyre janë angazhuar maksimalisht me të gjithë kapacitetet e tyre në përballimin e zjarreve në burime njerëzore e logjistike, ndërsa disa të tjera jo.

Ju bëj thirrje kryetarëve të bashkive #QarkuShkoder në rolin e kryetarëve të komisioneve të emergjencave civile urgjentisht të marrin drejtimin e komisioneve, të vlerësojnë situatën aktuale në territoret e përgjegjësive dhe të raportojnë për situatën, të bëjne vlerësimin real, të shfrytezojnë kapacitetet dhe burimet njerëzore e logjistike dhe të përdorin tërësinë e aseteve që kanë në aspektin e mbrojtjes civile, si një përgjegjësi dhe detyrim i tyre ligjor.

Në çdo rast fatkeqësie, janë vetë bashkitë ato të cilat mbajnë rolin dhe peshën kryesore për të garantuar mbrojtjen e jetës së njerëzve, gjësë së gjallë, pronës, ndërkohë që angazhimi i strukturave qendrore operacionale siç janë FA apo Policia e Shtetit, sipas ligjit vjen vetëm pas ezaurimit të resurseve në nivel vendor.

Po kështu, përfitoj nga rasti të ju bëj thirrje publike të gjithë bashkive që nuk zbatojnë ligjin se do të përballen me penalitete për çdo rast, kur nuk respektojnë dispozitat ligjore për përballimin e emergjencave civile.

Prefektura e Qarkut Shkodër, është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë aktorët dhe strukturat qoftë në terren, qoftë atyre të mbrojtjes civile dhe po ndjek hap pas hapi dinamikat e çdo lloj situate që paraqitet në territor, duke raportuar dhe marrë parasyah kërkesat për mbështetje për çdo rast vështirësie ku paraqitet e nevojshme ndërhyrja nga ajri.

Së fundmi, do të dëshiroja t’u bëj thirrje të gjitha banorëve të Qarkut Shkodër, që të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit me qëllim vënien pëpara përgjegjësisë të zjarrvënësve të qëllimshëm, si dhe të shprehja mirënjohjen për çdo banor, çdo strukturë, vullnetarë e vullnermirë që me sakrificë dhe vetmohim është në terren në këtë orë duke ju përgjigjur këtyre situatave.

RaportoZjarret