
Aktivisti qytetar nga Tuzi, Damir Dibra, është emëruar Ambasador Global i Paqes në kuadër të organizatës ndërkombëtare Global Peace Chain, e cila bashkon liderë të rinj dhe aktivistë nga e gjithë bota me qëllim promovimin e paqes, dialogut dhe drejtësisë shoqërore.
Ky vlerësim i rëndësishëm i është dhënë pas një procesi të kujdesshëm vlerësimi nga komiteti përzgjedhës i organizatës, i cili ka njohur veçanërisht angazhimin e Dibrës në fushën e aktivizmit qytetar, luftën për demokratizimin e shoqërisë dhe forcimin e komunitetit.
Si Ambasador Global i Paqes, Dibra do të ketë mundësinë të bashkëpunojë me liderë ndërkombëtarë dhe të marrë pjesë në iniciativa që synojnë ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme, fuqizimin e të rinjve dhe nxitjen e ndryshimeve pozitive në shoqëri.
Në deklaratën e tij të parë pas emërimit, Dibra theksoi se këtë rol e konsideron një nder të madh, por edhe një përgjegjësi:
“Ky vlerësim nuk është vetëm një sukses personal, por një dëshmi se puna e palodhur, përkushtimi ndaj drejtësisë dhe dëshira për ndryshim vlerësohen edhe përtej kufijve të vendit tonë. Do të vazhdoj të angazhohem për vlerat e paqes, dialogut dhe barazisë, si në nivel lokal ashtu edhe në atë ndërkombëtar.”
Organizata Global Peace Chain prej vitesh vepron në nivel global përmes programeve edukative, konferencave dhe iniciativave që lidhin të rinjtë nga kultura dhe shtete të ndryshme, me një mision të përbashkët: ndërtimin e një bote më paqësore dhe më të drejtë.
Me këtë emërim, Damir Dibra bëhet pjesë e një rrjeti global liderësh që kontribuojnë aktivisht në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimin e vlerave universale të paqes dhe solidaritetit.






