A hiqen koalicionet para zgjedhore? Manja shpjegon çfarë synojnë ndryshimet kushtetuese

Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, ka sqaruar sot në emisionin “Open” me Eni Vasilin se çfarë parashikojnë ndryshime kushtetuese.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Manja, shpjegoi se me ndryshimet në kushtetutë do të hiqen koalicionet parazgjedhore, ndërsa shtoi se në marrëveshjen e 5 qershorit nuk është folur për koalicionet por vetëm për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve.

“Ç’është marrëveshja e pesë qershorit? Zonja Hajdari ka qenë aty dhe ndryshimet që janë dakordsuar në marrëveshjen e 5 qershorit, është një marrëveshje e adresuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Partia Demokratike, në princip dhe kur flas për Partinë Demokratike duhet të identifikohet kryetari i partisë, këto të tjerat janë derivate. Më 17 maj të 2017  shkoi me listën Basha, po ta keni vënë re në fletët e votimit ishin kryetarët e partive aleatët të Lulzim Bashës. Aty ishim në listë. Ajo që sot kolegët e opozitës e bënë me marrëveshje politike, sot ajo marrëveshje po përkthehet me ligj zgjedhor”, tha Ulsi Manja.

Kjo hipotezë ka hasur kundërshtim në radhët e Partisë Demokratike, të cilët akuzojnë kryeministrin Rama se po shkel marrëveshjen e pesë qershorit.