
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar dokumentin “Besa”, të cilin e cilësoi si strategjinë politike dhe qeverisëse për mandatin e katërt. Në fjalën e tij para grupit socialist, Rama u ndal te protestat duke thënë se ato duhet të shërbejnë si një moment reflektimi për qeverinë.
Në fjalën e tij para grupit socialist, Rama tha se protestat nuk duhet të shihen si një përplasje mes qeverisë dhe qytetarëve, por si një mundësi për të kuptuar pritshmëritë e një shoqërie që, sipas tij, ka hyrë në një fazë të re zhvillimi.
Sipas kryeministrit, pikërisht ky reflektim solli krijimin e dokumentit “Besa”, i cili synon një ndryshim në mënyrën se si qeveria komunikon dhe bashkëpunon me qytetarët.
“Flamingoja mund të dalë kundër nesh në protestë dhe të jetë aleati ynë natyral i kësaj epoke të re. Sorrat mund të vijnë rrotull nesh dhe flamingove, por në fund te plaga e hapur, bashkë me korbat, e kanë shpirtin. Vija ndarëse nuk kalon mes atyre që dolën apo jo në protestë, por kalon te ata që duan ta bëjnë Shqipërinë më të mirë, edhe për ata dhe pavarësisht prej tyre. Flamingot nuk janë problemi ynë, por sprovat që ne kemi me veten tonë. Ky është një tjetër mësim shumë i shtrenjtë dhe nga kjo lindi dokumenti i parë, që e kam titulluar me një emër shumë të vjetër dhe të madh: “Besa”. E zgjodha edhe sepse nuk ka debat.
Çfarë kthese i duhet mandatit të katërt? Që njerëzit e këtij vendi të mos i përjetojnë më vendimet tona si “prerje në besë” dhe të mos ndihen më të papërfillur apo të painformuar. Dokumenti shoqërohet me një aneks se si PS duhet ta zbatojë atë. Ne nuk jemi në luftë me flamingon, por në një aleancë për ta ndërtuar me shumë durim me ta. Beteja sot nuk është mes qeverisë dhe qytetarit që kërkon më shumë. Beteja jonë është mes atyre që duan një vend më të zhvilluar dhe më europian dhe atyre që e kanë të domosdoshme një Shqipëri të zemëruar dhe të përçarë, pa besim te shteti dhe rregullat demokratike. Të atyre që janë një grup i vogël sorrash te foltorja e Kuvendit.
Aleanca që na duhet është një aleancë për ta mbajtur kritikën dhe për ta kthyer zemërimin në ndryshim, dhe protestën nga një çast përplasjeje në një test pjekurie të demokracisë sonë. Ne nuk kemi nevojë për qytetarë që të na besojnë me sy mbyllur. Ne kemi nevojë për qytetarë që na matin me sy hapur”, tha Rama.
Sipas Ramës, besimi i qytetarëve nuk humbet nga një krizë e vetme, por largohet kur marrëdhënia mes qytetarëve dhe institucioneve trazohet.
“Ku po shkon Shqipëria me këtë zhvillim? Përgjigjen e kësaj do ta marrim hap pas hapi, ku Shqipëria në BE është një mënyrë jetese që sapo ka nisur të marrë formë, me paga dhe mundësi më të larta, zhvillim demokratik e të tjera. Ku jam unë, njeriu i zakonshëm, në rrugën e këtij zhvillimi? Do ta kërkojmë bashkë me njerëzit, duke e nisur pikërisht nga kjo metodë: “Besa”. Zhvillimi nuk bëhet mbi apo rreth qytetarit, por bëhet bashkë me të dhe për të. Dhe këtu na duhet empatia.
Mandati i katërt do t’i përgjigjet pyetjes: A mund të bëhet ky ndryshim i qëndrueshëm, i besueshëm dhe i të gjithëve? Njerëzve në bulevard dua t’u them: Ju kam dëgjuar. Flamingon nuk e mban në lagunë as gardhi dhe as dekreti. E mban uji i qetë dhe kthehet vetëm kur e gjen ujin ashtu siç e do.
Kështu është edhe besimi i një populli. Nuk vritet me një krizë; largohet kur trazohet uji. Kthehet vetëm kur gjen ujin miqësor. Puna e mandatit të katërt është një dhe e vetme: të mbledhim, nga të gjitha burimet, ujin e trazuar të besimit dhe ta bëjmë këtë me empati. Dhe flamingot do të kthehen”, tha Rama.
Rama e mbylli fjalën duke e cilësuar “Rilindja 2.0” si emrin e ciklit të ri politik, ndërsa “Besa” si metodën për ta kthyer këtë cikël në një përvojë të re për qytetarët shqiptarë.




