
Shqipëria do të vendosë rregulla të reja për platformat online, duke rritur mbrojtjen e përdoruesve dhe detyrimet për kompanitë që ofrojnë shërbime digjitale. Kjo është ajo që parashikon projektligji për Shërbimet Digjitale, i cili përafron legjislacionin shqiptar me Aktin Evropian për Shërbimet Digjitale, i njohur si DSA.
Ndryshimi më i rëndësishëm lidhet me mënyrën se si platformat online do të trajtojnë përmbajtjet e paligjshme. Për shembull, nëse në një rrjet social, si Instagram, Facebook e të tjerë, publikohet një reklamë mashtruese, një produkt i falsifikuar ose një postim që shkel ligjin, përdoruesit do të kenë mekanizma të qartë për ta raportuar, ndërsa platformat do të jenë të detyruara ta shqyrtojnë dhe të marrin masa në kohë.
Projektligji kërkon gjithashtu më shumë transparencë nga platformat. Në praktikë, nëse një përdorues sheh një reklamë të sponsorizuar në rrjetet sociale, platforma duhet ta bëjë të qartë se bëhet fjalë për reklamë dhe pse ajo i është shfaqur atij përdoruesi. Po ashtu, kompanitë do të duhet të shpjegojnë më qartë mënyrën se si funksionojnë algoritmet që rekomandojnë video, postime apo produkte.
Një tjetër ndryshim prek drejtpërdrejt përdoruesit. Nëse një platformë vendos të fshijë një postim ose të bllokojë një llogari, nuk do të mjaftojë vetëm heqja e përmbajtjes. Ajo duhet të njoftojë përdoruesin për arsyet e vendimit dhe t’i japë mundësinë ta kundërshtojë atë përmes procedurave të ankimit.
Projektligji vendos edhe masa më të forta për mbrojtjen e të miturve në internet. Për shembull, nëse një platformë përdoret kryesisht nga fëmijët ose adoleshentët, rregullat e përdorimit duhet të jenë të shkruara në një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për ta.
Ndryshime parashikohen edhe në tregtinë elektronike. Platformat që ndërmjetësojnë shitje online do të kenë detyrimin të verifikojnë më mirë tregtarët. Kjo do të thotë se nëse një konsumator blen një produkt nga një shitës online, do të jetë më e lehtë të identifikohet se kush e ka ofruar atë produkt, duke ulur rrezikun e mashtrimeve ose të shitjes së produkteve të paligjshme.
Projektligji krijon edhe një autoritet të ri, Koordinatorin e Shërbimeve Digjitale, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e ligjit dhe do të bashkëpunojë me institucionet shqiptare dhe ato të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, ai nuk u kërkon platformave të kontrollojnë paraprakisht çdo postim apo koment që publikohet. Ato nuk do të kenë detyrimin për monitorim të përgjithshëm, por do të jenë të detyruara të veprojnë kur marrin njoftime për përmbajtje të paligjshme ose kur këtë e urdhërojnë autoritetet kompetente.



