Rregulla të reja për drejtuesit e automjeteve – Në fuqi nga data 5 gusht/ Kush kapet i dehur dy herë në timon, humbet patentën…

Shpërndaje

Drejtuesit e automjeteve duhet të zbatojnë rregullat e reja të qarkullimit, pasi në të kundërt do të përballen me masa më të ashpra. Ndryshimet në Kodin Rrugor, të cilat hyjnë në fuqi më datën 5 Gusht, përcaktojnë se drejtuesi i mjetit, i cili konstatohet duke  drejtuar mjetin pa qenë i pajisur me leje drejtimi, i shtyhet për një periudhë prej 1 viti e drejta për t’u pajisur me leje drejtimi pranë sistemit të  autoshkollave si masë administrative ndëshkuese.

Kur drejtuesi i mjetit është i mitur, afati për t’u pajisur me leje drejtimi pranë sistemit të autoshkollave shtyhet për një periudhë 2-vjeçare nga momenti kur i lind kjo e drejtë sipas legjislacionit në fuqi.

Ndryshimet në nenin 5 të ligjit, përcaktojnë se për drejtuesit e automjeteve që janë pajisur me leje drejtimi të kategorisë B, brenda dy viteve të fundit kufiri i lejuar i alkoolit në gjak është 0.0‰; shpejtësia maksimale e lejuar është 90 km/orë  në autostrada dhe rrugë interurbane kryesore, si dhe  80 km/ orë jashtë qendrave të banuara.

Shkeljet e këtyre kufizimeve dënohen me gjobë 5 mijë deri në 15 mijë  lekë,  u pezullohet patenta për 1 muaj,  si dhe u hiqen pikët.  Pas përfundimit të periudhës së provës prej 2 vitesh pa shkelje, kufizimet hiqen automatikisht.  Ndërsa për ata që kapen në shkelje dhe u janë hequr të paktën 10 pikë,  periudha e kufizimeve zgjatet edhe me 1 vit.

Një ndër ndryshimet më të rëndësishme në Kodin Rrugor është ai që lidhet me përdorimin e alkoolit. Kështu, kur drejtuesi i automjetit konstatohet me një vlerë alkoolike më të lartë se  0,5 gram për litër (g/l) në gjak dhe ky drejtues është konstatuar e ndëshkuar më  parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur, në rast përsëritjeje, merret masa e  heqjes së lejes së drejtimit përgjithmonë.

Drejtuesit e mjetit që bëjnë gara shpejtësie duke sjellë rrezik serioz për përdoruesit e rrugës, sidomos në zonat urbane, përfshirë manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe sjelljet jo sociale në rrugë do të përballen me gjoba më të larta, të cilat variojnë nga  shkojë në 20 mijë – 60 mijë lekë.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu se ndalohet, përdorimi i telefonit  celular të mbajtur me dorë gjatë drejtimit të mjeteve të tjera, përfshirë biçikletat, motomjetet deri në 50 cc dhe monopatinat me motor.

Shpërndaje