Spiropali: Ka ardhur koha për të ndryshuar këtë sistem politik! Berisha: Dhunë barbare ndaj protestuesve, një person në koma te Trauma…

Shpërndaje

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka deklaruar në Kuvend se vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm për ndryshime politike dhe institucionale, duke kërkuar reflektim si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita.

Spiropali tha se edhe para protestës dhe gjatë saj ka folur për nevojën e reformimit të pushtetit, vetëkorrigjimit dhe luftës kundër korrupsionit.

“Kam folur për nevojën për reformimin e pushtetit, për vetëkorrigjim, për të kaluar nga sistemi i personalizimit ekstrem të pushtetit te sistemi i institucioneve. Kam folur për vetëpastrim, luftë kundër korrupsionit, për administratën”, u shpreh Spiropali.

Ajo tha se politika duhet të kuptojë se ky është një moment që ndan një epokë nga një tjetër sa i takon demokratizimit të mëtejshëm të vendit dhe partive politike.

“Kam folur për nevojën për të ndryshuar këtë sistem politik dhe këtë sistem zgjedhor, i cili ka prodhuar një banalitet sot. Kam folur për institucione shtetërore që përdoren kundër njëri-tjetrit, me besimin e madh që ne kemi fuqinë për ta ndryshuar këtë”, deklaroi deputetja socialiste.

Në fjalën e saj, Spiropali iu drejtua edhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke i kërkuar të kontribuojë në një proces ndryshimi brenda opozitës.

“Po ti doktor e ke fuqinë të hapësh rrugën që të demokratizosh partinë tënde dhe ta çlirosh opozitën. A e ke fuqinë të bëhesh pjesë e një ndryshimi që nuk i takon një partie, por i takon të gjithëve? Koha ka ardhur”, tha Spiropali.

Pas deklaratave të Spiropalit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi nga foltorja e Kuvendit.

“Elisa, Pëllumbesha në botën e çudirave, nuk meriton asnjë përgjigje. Kjo është replika ime”, u shpreh Berisha.

Ai tha se shqetësimi kryesor, sipas tij, është dhuna ndaj protestuesve gjatë tubimit para Kuvendit.

“Problemi më madhor është barbaria që është ushtruar ndaj protestuesve. Një njeri po lufton për jetën në urgjencën e spitalit, i kanë thyer brinjët dhe i kanë dëmtuar kafkën dhe e kanë futur në koma cerebrale”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së akuzoi mazhorancën se po i trajton protestuesit si armiq dhe tha se, sipas tij, personat që kanë dalë për të protestuar janë “heronj” dhe jo persona për t’u ndëshkuar.

“Heronjtë e vërtetë shpallen terroristë. Kjo është skena më e padenjë në historinë e këtij parlamenti”, tha Berisha.

Ndërkohë burime për Vizion Plus bëjnë me dije se në spitalin eTraumës aktualisht nuk ka asnjë protestues që ndodhet në gjendje kome.

Shpërndaje