
Po mbushen 36 vjet që kur 25 vjeçari Sadetin Sharkiqi, nga qyteti i Shkodrës, u arratis nga Shqipëria moniste e asaj kohe në përpjekje për një jetë më të mirë në botën e lirë. Më 1 tetor 1990, ai dhe një mik i tij morën rrugën drejt Malit të Zi, duke kaluar përmes Liqenit të Shkodrës, në një nga periudhat më dramatike të arratisjeve nga regjimi komunist.
Që prej asaj dite, për Sadetin Sharkiqin nuk është marrë më asnjë lajm. Pavarësisht kërkimeve të vazhdueshme të familjarëve ndër vite, institucioneve dhe çdo përpjekjeje për të zbuluar fatin e tij, ai vazhdon të rezultojë person i zhdukur.

Dhimbja më e madhe ka mbetur te familja, e cila prej më shumë se tri dekadash jetoi mes shpresës dhe pasigurisë. Motra e tij, e cila nuk ka reshtur asnjëherë së kërkuari të vëllanë, thotë se pas 36 vitesh nuk ka mbetur më asnjë shpresë që ai të jetë gjallë. Sipas saj, shpallja zyrtare e vdekjes nuk është vetëm një procedurë ligjore, por edhe një akt i domosdoshëm për t’i dhënë fund një pritjeje të pafund dhe për të mbyllur një plagë që ka mbetur e hapur prej dekadash.
Megjithatë, edhe pse kanë kaluar më shumë se tri dekada nga zhdukja e tij, Sadetin Sharkiqi ende nuk është deklaruar zyrtarisht i vdekur, ashtu siç parashikon legjislacioni shqiptar për personat e zhdukur.
Sipas Kodit Civil, kur për një person nuk ka asnjë lajm për të paktën 10 vjet nga dita e marrjes së lajmit të fundit, familjarët ose personat e interesuar kanë të drejtë t’i drejtohen gjykatës për shpalljen e tij të vdekur. Në raste të zhdukjes në rrethana me rrezik të lartë për jetën, siç ishin arratisjet apo kalimet e paligjshme të kufirit në fillim të viteve ’90, procedurat ligjore mund të ndiqen edhe në afate më të shkurtra.

Historia e Sadetin Sharkiqit mbetet një nga shumë plagët e hapura të periudhës së fundit të regjimit komunist, kur qindra shqiptarë rrezikuan jetën në kërkim të lirisë, ndërsa shumë familje vazhdojnë edhe sot të jetojnë pa një përgjigje për fatin e njerëzve të tyre më të dashur.




