
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishajn, ndërsa Julian Meçajn me 35 vite burg, lidhur me atentatin ndaj Arjan Ndojës, e ndodhur në nëntor 2019 në mbikalimin e Shkozetit, në Durrës.
GJKKO pranoi kërkesën e SPAK dhe shpalli Plaurent Dervishaj fajtor si organizator i atentatit të ndodhur në mbikalimin e Shkozetit, ku humbi jetën Andi Maloku, ndërsa mbetën të plagosur ish-prokurori i Durrësit, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, si dhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si “Rrumi”. Ndërkohë, Julian Meçaj u shpall fajtor si pjesëmarrës në këtë atentat.
Dy të pandehurit u gjykuan në një proces të ndarë nga pjesa tjetër e të akuzuarve të përfshirë në të njëjtën ngjarje. Ata u akuzuan për një sërë veprash të rënda penale, mes të cilave vrasje me paramendim, vrasje e mbetur në tentativë ndaj funksionarëve publikë, si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Gjatë procesit gjyqësor, ish-prokurori i Durrësit dhe deputeti i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, dëshmoi dy herë në GJKKO. Ai deklaroi se motivet e atentatit ndaj tij i kishte të qarta, por theksoi se zbardhja e plotë e ngjarjes i takonte organit të akuzës. Gjykata urdhëroi që të dy të dënuarit ta vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
Po ashtu, GJKKO vendosi që sendet e sekuestruara nga SPAK gjatë hetimit t’u kthehen të pandehurve, pasi nuk u vlerësuan si objekte që duhet të konfiskohen me vendimin përfundimtar.
Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj u shpallën fajtorë për disa vepra penale, mes tyre:
Për të njëjtën ngjarje vijon procesi gjyqësor ndaj Amar Shkëmbit dhe Bledar Polovinës. Ky i fundit ndodhet në arrati dhe gjykohet në mungesë.
Ndërkohë, për atentatin e nëntorit 2019 janë dhënë më herët edhe disa vendime të formës së prerë. Redjan Rraja është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Ramazan Rraja me 9 vite burg, dënim i reduktuar në 6 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Po ashtu, janë dënuar:
Genti Ndërjaku me 5 vjet e 4 muaj burg;
Bashkim Haxhia me 4 vjet e 8 muaj burg;
Endrit Sinani me 4 vjet e 8 muaj burg;
Julian Pjetri me 4 vjet e 4 muaj burg.




