Shkreli: Nga Rozafa, Rama sulmon protestuesit dhe shmang problemet reale të Shkodrës…

Shpërndaje

Edi Rama erdhi sot në Shkodër dhe nga Kalaja e Rozafës dha fytyrën e vërtetë të pushtetit të tij arrogant, tashmë të degraduar dhe të shkëputur totalisht nga realiteti i shqiptarëve.

Në vënd që të fliste për varfërinë, largimin masiv të të rinjve, mungesën e investimeve, korrupsionin dhe braktisjen e Shkodrës, kryeministri mafioz që grabiti zgjedhjet, zgjodhi të përdorë gjuhë seksiste, banale dhe denigruese ndaj vajzave e grave. Një sjellje e turpshme që nuk i shkon as një burri normal, jo më një kryeministri.

Me bluzën e shëmtarisht të stampuar, me poza, batuta dhe sjellje prej personazhi vulgar televiziv, më shumë ngjante si figurë e një “reality show” sesa si drejtuesi i një shteti që po fundoset çdo ditë nga korrupsioni, skandalet dhe propaganda.

Kremrat, bikinit, fjongot dhe komentet për vajzat që protestojnë tregojnë vetëm një gjë: frikën patologjike që Edi Rama ka nga rinia dhe nga çdo zë kundër tij. Sepse një pushtet që merret me pamjen e qytetarëve dhe jo me hallet e tyre, është një pushtet në rënie morale dhe politike.

Ndërsa “Sulltani i Surrelit” kishte pushtuar sot Kalanë e Rozafës me eskortën, administratën dhe propagandën e tij, ajo që binte më shumë në sy ishte falsiteti. Duartrokitje me regji, të qeshura të imponuara dhe njerëz të mbajtur nën diell për të dëgjuar një monolog arrogance e përçmimi.

Nuk dua të paragjykoj askënd që, nën presionin e vendit të punës apo bukës së gojës, u detyrua të ishte aty. Sepse sot në Shqipëri administrata mbahet peng nga frika dhe detyrimi politik.

Por nuk mund të hesht kur vajzat, gratë dhe nënat tona përdoren si objekt talljeje dhe përçmimi publik nga një njeri që ka humbur çdo sens morali, dinjiteti dhe përgjegjësie institucionale.

Shqipëria nuk meriton një kryeministër mafioz që sillet si sundimtar mesjetar, që përçan, fyen dhe tallet me qytetarët e vet. Shqipëria meriton respekt, dinjitet dhe një qeveri të dalë nga vota e lirë që i shërben njerëzve e jo propagandës personale të një njeriu dhe një grushti oligarkësh grabitqar të konsumuar nga pushteti!

Eliona Shkreli, anëtare e këshillit bashkiak Shkodër, Partia Demokratike

Shpërndaje