Imeld Sokoli rikthen në vëmendje premtimin për urën e Bunës: Katër vite më pas, ende pa realizim…

Shpërndaje

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Imeld Sokoli, ka rikthyer në vëmendje premtimin për ndërtimin e urës së re mbi lumin Bunë, projekt që do të lidhte Velipojën me Ulqinin.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Sokoli kujton se ky investim u prezantua katër vite më parë, por ende nuk ka nisur të realizohet, ndërsa është përdorur vazhdimisht gjatë fushatave elektorale.

“Si sot, katër vite më parë, u premtua ura e re e Bunës që do të lidhte Velipojën me Ulqinin. Që nga ajo ditë janë zhvilluar tre fushata elektorale ku ky projekt është përdorur si premtim”, shprehet ai.

Sipas Sokolit, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë llogari për projektet e shpallura ndër vite, ndërsa thekson se koha e premtimeve të përsëritura pa rezultate konkrete ka përfunduar.

Ai kërkon shpjegime nga institucionet përgjegjëse për mosrealizimin e investimit të shumëpërfolur, i cili pritet të lehtësojë lidhjen mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Shpërndaje