
Ndërsa buxheti i shtetit po i “gëzohet” një rritjeje të fortë të të ardhurave tatimore, një vështrim më i detajuar tregon se kjo tendencë e ka “një bisht” nga pas.
Ministria e Financave, në treguesit paraprakë fiskalë, bëri të ditur se të ardhurat totale, për periudhën Janar-Prill 2026, arritën në rreth 275.7 miliardë lekë, me një rritje prej 11.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 28.8 miliardë lekë më shumë.
Të dhënat tregojnë se të ardhurat nuk po përmirësohen nga rritja e performancës së bizneseve, sesa nga vrulli i lejeve të ndërtimit që po vijojnë të jepen në vend, çka po sjell arkëtime të ndjeshme nga zëri i “Pushtetit vendor”, pjesa më e madhe e të cilës përbëhet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.
Të ardhurat nga pushteti vendos ishin 26.3 miliardë lekë për janar-prill 2026, me një rritje prej 118%, ose 14.2 miliardë lekë më shumë (rreth 150 mln euro). Si rrjedhojë, vetëm ky zë ka sjellë gati 50% të shtesës së të ardhurave në total (14.2 miliardë lekë, nga 28.8 miliardë lekë më shumë që u rritën të ardhurat në total).
Për të treguar se sa disproporcional është ky efekt, mjafton të përmendim se “pushteti vendor” solli 10% të të ardhurave për 4 mujorin 2026 (nga 5% 4 mujorin e një viti më parë), ndërsa të ardhurat tatimore e doganore 62% të totalit dhe nga fondet speciale 24%.
Në mungesë të përditësimit të të dhënave nga INSTAT për sipërfaqen e lejeve të ndërtimit, që raporton prej gati një viti vetëm pushtetin vendor dhe jo lejet e Këshillit Kombëtare të Territorit dhe Ujit (KKTU), ky është treguesi më i saktë për përmasat që pritet të marrë ndërtimi në vend.
Katër mbledhjet e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit kanë marrë në shqyrtim disa qindra kërkesa për leje ndërtimi e zhvillimi ku përfshihen projekte turizmi, rezidencialë, infrastrukturë publike, ndërhyrje në energji dhe transport.
Ato që bien në sy janë kërkesa për projekte në bregdet qoftë për fshatra turistikë që në fakt më shumë janë projekte rezidenciale qoftë për ndërtesa shumëkatëshe. Kështu leje janë kërkuar për ndërtime në Palasë, Himarë, Sarandë por nuk mungojnë as në Shëngjin.
Shumëkatëshit po bëhen tashmë normale për zonën bregdetare. Kërkesat e subjekteve në Shëngjin janë për ndërtime 17 kate apo dhe 27 kate teksa në zonën e Golemit janë një seri ndërtimesh “24 kate mbi tokë, objekt aparthotel dhe shërbimi 8, 11, 16 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë”. E njëjta situatë është dhe në Vlorë.
Në mbledhjen e datës 17 prill në listë bien në sy disa leje për ndërtime në Tiranë kryesisht me funksion banimi, të cilat nisin nga pak kate e deri në 45 kate ndërkohë nuk mungojnë as kullat si “Hotel 36 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë”, me vendndodhje në Qerret, Bashkia Kavajë”, “Struktura polifunksionale, hotelerie dhe banimi me 18 kate mbi tokë dhe me 1 kat nëntokë me pishina”, me vendndodhje në Velipojë.
Në mbledhjen tjetër të datës 24 prill dhe atë të 29 prill bien nuk mungojnë kërkesa për leje për ndërtime shumëkatëshe në Tiranë por edhe në rajone të tjera si Fushë Krujë teksa kryeson bregdeti siç është objekt rezidencial dhe hoteleri me 33 kate mbi tokë dhe 4 kate nën tokë”, me vendndodhje në Bashkinë Vlorë.
Tatimet dhe doganat sollën 7.7 miliardë lekë më shumë në buxhet, ose 27% të shtesës.
Të ardhurat nga fondet speciale, (sigurime shoqërore dhe shëndetësore) sollën 7.4 miliardë lekë më shumë, ose rreth 26% të shtesës. Efekti i këtij zëri ka qenë më i ulët në krahasim me vitin e kaluar, duke treguar një ngadalësim të rritjes së pagave, që vitin e kaluar u kthyen në kontribuues kryesorë të arkëtimeve shtesë buxhetore.
Nëse hiqet efekti i lejeve të ndërtimit, të ardhurat tatimore do të ishin zgjeruar me rreth 15 miliardë lekë për 4 mujorin, apo vetëm 6.1% më shumë, me një rritje reale afër zeros, duke pasur parasysh që inflacioni i është aftuar nivelit prej 3% dhe ekonomia parashikohet të përmirësohet me 3.5% këtë vit.
Nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) Nga 9532 aplikime të rivlerësimit për periudhën shkurt-prill në buxhetin e shtetit janë arkëtuar rreth 1.6 mld lekë apo rreth 16 mln euro./Monitor




