Mbi 2500 mjete të vjetra të çregjistruara nga qarkullimi gjatë janar–prill 2026…

Shpërndaje

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka bërë publike statistikat e kontrollit teknik të automjeteve për periudhën janar-prill 2026. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë katër muajve të parë të vitit janë kontrolluar 126.719 mjete në të gjithë vendin, në kuadër të verifikimeve periodike për sigurinë rrugore dhe standardet teknike.

Numrin më të madh të mjeteve të testuara e përbëjnë automjetet e kategorisë 4+1 dhe 8+1 vende. Në total janë kontrolluar 112.164 automjete të kësaj kategorie, që përfaqësojnë rreth 88.5% të totalit të mjeteve të inspektuara.

Kontrolle teknike kanë kaluar gjithashtu 6.888 kamionë, ose 5.4% e totalit, si dhe 5.494 motomjete, që zënë 4.3% të mjeteve të kontrolluara. Gjatë kësaj periudhe janë verifikuar edhe 1.261 autobusë, 483 rimorkio dhe 429 mjete ndërtimi e punimesh toke.

Ndërkohë, DPSHTRR njofton se 2.538 mjete janë çregjistruar përfundimisht. Automjetet e larguara nga qarkullimi kishin një moshë mesatare prej 22 vitesh, ndërsa numri i tyre është 35.3% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas institucionit, çregjistrimi i këtyre mjeteve lidhet me mungesën e standardeve të sigurisë, amortizimin e lartë dhe problemet teknike që paraqesin rrezik në qarkullim.

DPSHTRR thekson se kontrolli teknik mbetet një element kyç për rritjen e sigurisë në rrugë, uljen e aksidenteve dhe respektimin e standardeve teknike e mjedisore nga drejtuesit e mjeteve.

Shpërndaje