
Fshati Drisht, pjesë e njësisë administrative Postribë në Shkodër, prej dekadash njihet për traditën e kultivimit të qepës dhe qepujkës, kultura që i përshtaten mjaft mirë tokës dhe klimës së zonës.
Me ardhjen e pranverës, banorët i janë rikthyer punëve në arë, duke mbjellë dhe përgatitur tokën me synimin për një prodhim sa më të mirë.
Puna vazhdon çdo ditë, shpesh në kushte jo të lehta dhe me mjete tradicionale, por për shumë familje kjo mbetet burimi kryesor i jetesës.
Një prej fermerëve është edhe 76-vjeçari Bajram Bregu, i cili merret me bujqësi që në moshën 15-vjeçare. Me përvojën e gjatë, ai vazhdon të punojë tokën bashkë me familjen, duke u angazhuar në çdo etapë, nga përgatitja deri te kujdesi për kulturat.
Ashtu si shumë banorë të tjerë të Drishtit, edhe ai pret një sezon të mbarë, që do të sigurojë të ardhura për familjen dhe do të mbajë gjallë traditën bujqësore të zonës.
Kultivimi i qepës dhe qepujkës vazhdon të trashëgohet brez pas brezi, duke mbetur një nga vlerat më të rëndësishme të komunitetit.




