Nga shpresa për të jetuar në vendin e tyre, në pasiguri totale…

Shpërndaje

Dy të rinj nga Shiroka, të cilët kishin zgjedhur të ndërtonin jetën e tyre në vendlindje, sot ndodhen përballë një realiteti të vështirë, pas prishjes së biznesit familjar, i vetmi burim të ardhurash për ta.

Prej vitesh, së bashku me familjen, ata kishin punuar në një lokal të vogël, duke kursyer çdo të ardhur për ta përmirësuar dhe rikonstruktuar. Me mundin e mbledhur ndër vite, vendosën ta rindërtonin në themelet ekzistuese, pa zaptuar asnjë metër tokë shtesë.

Por ndërhyrja e IKMT i dha fund këtij investimi. Objekti u prish, duke lënë pas jo vetëm dëme materiale, por edhe një goditje të fortë për të ardhmen e tyre.

Historia e tyre është edhe më e dhimbshme: dy të rinjtë kishin ndërtuar gjithçka bashkë me babanë, i cili ndërroi jetë dy vite më parë. Sot, ata dhe nëna e tyre përballen të vetëm me pasojat, pasi ky biznes ishte i vetmi burim jetese për familjen.

Ky rast vjen në një kohë kur prishjet selektive janë kthyer në një fenomen të diskutuar gjerësisht, duke ngritur pikëpyetje mbi standardet dhe barazinë në zbatimin e ligjit.

Situata të tilla po ndikojnë drejtpërdrejt tek të rinjtë, duke zbehur besimin dhe duke i shtyrë shumë prej tyre të kërkojnë të ardhmen jashtë vendit./RealiteitPost

Shpërndaje