
Nga Redi Shehu
Me kolonizimin e dhunshëm të Venezuelës ne vitin 2026, Donald Trump nuk e fshehu se qellimi i tij ka qenë bllokimi i Kinës dhe Rusisë për të përfituar nga burimet natyrore të një vendi afër me SH.B.A-të. E kemi parë këtë edhe herë të tjera kur për çështje të sigurisë kombëtare janë shkatërruar vende dhe popuj të tërë.
Më këtë aksion, Trump sapo i ka dhënë Putinit të gjithë alibinë gjeostrategjike për të marrë Ukrainën. Paralelizimi është i njëjtë, ashtu si SH.B.A e cila për çështje të sigurisë kombëtare nuk lejon afër oborrit të vet konkurencën, edhe Rusia afër oborrit të vet nuk lejon Nato-n. Në këtë rast përfiton edhe Kina e cila ka tashmë justifikimin që për çeshtje të sigurisë kombëtare do të marre Taiwanin për të mos lejuar konkurencën afër oborrit të vet. Lista e shteteve të cilat për çështje të sigurisë kombëtare nuk do të lejonin influencën e shteteve të tjera afër tyre, është aq e madhe sa edhe vetë Trump do habitej.
Të kolonizosh në 2026-tën do të thotë të shkatërrosh ligjin ndërkombëtar, por që bota të ruajë ekuilibrin e saj i duhet po ligji ndërkombëtar. Lehtësia e transformimit të rendit botëror brënda pak muajsh në një rend kolonizator (Groelanda është prova e radhës) tregon se sa sipërfaqesor paska qenë rendi ligjor i cili nuk ka as fuqinë më të vogël për të frenuar kaubojsit e rinj. Fakti është se, kemi qenë gjithmonë të kolonizuar por me ligj ndërkombëtar, ndryshimi kësaj here është që ky grup kaubojsish të paktën hoqën perden e hipnotizimit dhe u treguan të sinqertë në maskarallëkun e tyre.
Lëre pastaj kur të thonë je me ose kundra Maduros. Këtu debilizimi kalon në nivele orbitale.




