
Ky është Irfan Domnori nga Shkodra, i njohur si “maratonomaku me flamur”, i cili çdo nëntor marshon në këmbë drejt Ulqinit me veshje kombëtare, duke treguar lidhjen e tij të fortë me kombin dhe veçanërisht me shqiptarët e Kosovës.
Mesditën e kësaj të premteje, ai u nis për në Tiranë për të marrë pjesë në protestën gjithëkombëtare në mbështetje të UÇK-së. Domnori kujton me emocione periudhën e luftës së Kosovës, kur familja e tij strehoi në shtëpi një familje nga Peja, ndonëse vetë kishin kushte të kufizuara.
“Për mua kjo është një ditë e veçantë. Protestojmë për të drejtat tona si shqiptarë dhe për vëllezërit tanë që ndodhen në Hagë, jo sepse kanë bërë krime, por sepse kanë mbrojtur shtëpitë dhe jetët e tyre. Prindërit tanë gjithmonë na kanë folur për Kosovën dhe me ardhjen e demokracisë kjo lidhje u forcua edhe më shumë. Pas luftës shkova në Pejë për t’i vizituar dhe kur u takuam, të gjithë shpërthyem në lot. Në Gjakovë pashë ende shtëpi që digjeshin, një pamje që s’harrohet kurrë,” rrëfen ai.
Domnori thekson se procesi gjyqësor në Hagë është i padrejtë dhe shtron pyetjen: “Nëse flitet për barazi, pse nuk arrestohet edhe NATO-ja?”
Me pjesëmarrjen në protestë, ai përsëri tregoi mbështetjen e palëkundur për UÇK-në dhe për çështjen kombëtare.




