
Nga viti 2008 deri në fund të vitit 2024, rreth 1 milion shqiptarë kanë marrë për herë të parë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të Eurostat.
Kjo shifër përfaqëson rreth 41% të popullsisë aktuale brenda vendit, ndërsa numri i emigrantëve shqiptarë është edhe më i madh po të përfshihen ata që jetojnë në SHBA, Kanada, Britani apo shtete të tjera jashtë BE-së.
Statistikat tregojnë një trend të vazhdueshëm rritjeje. Në vitin 2008 u dhanë gati 98 mijë leje qëndrimi, ndërsa deri në 2014 shifra kumulative arriti në afro 389 mijë. Pas vitit 2015 emigracioni u përshpejtua dukshëm: në 2018 totali kaloi 600 mijë, ndërsa në 2021 u regjistruan mbi 765 mijë leje. Vetëm gjatë periudhës 2021–2024, u shtuan më shumë se 230 mijë të tjera, duke e çuar numrin e përgjithshëm në rreth 1 milion.
Kjo rritje e vazhdueshme dëshmon se emigracioni shqiptar ka marrë përmasa të qëndrueshme dhe afatgjata. Shkaku kryesor mbetet ekonomik: mungesa e punës me paga të mjaftueshme, informaliteti i tregut dhe pasiguria për profesionistët. Paga mesatare në Shqipëri vijon të jetë shumë më e ulët se ajo e vendeve të BE-së, duke nxitur largimin drejt Italisë, Greqisë, Gjermanisë e vendeve të tjera të Europës Perëndimore.
Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe arsimi. Shumë të rinj kanë ndjekur studimet në universitetet e BE-së dhe më pas kanë qëndruar atje për punë. Përveç arsyeve ekonomike, një numër i madh lejesh janë dhënë për bashkim familjar, pasi emigrantët e hershëm kanë tërhequr pranë tyre pjesëtarët e familjes.
Sot, komuniteti shqiptar në BE renditet ndër më të mëdhenjtë në raport me popullsinë e vendit të origjinës, duke e vendosur Shqipërinë në krye të vendeve me emigracion masiv në Europë.




