
Nga Ted Kopliku
Neo-t, idiotët e dobishëm që legjitimojnë regjimin.
Bandat e Kongos, stërvisin anëtarët e saj që të vegjël për ti bërë pjesë të tyre. Janë të njohura për provën e fundit, për më të mirët. I kërkojnë të vrasin prindërit e tyre. Pikërisht këtë mendoj këto ditë ndërsa shikoj terrorin që ushtrohet në Theth e rrjedhimisht në Shqipëri.
Nga neo-deputetja, malësore dhe bujtinare, tek neo-kryebashkiaku, duke kaluar nga neo-inspektorët, neo-policët e patjetër ata që nuk mungojnë në asnjë hapësirë, neo-patronazhistët, Thethi tregon më së miri se baza e këtij regjimi jane “njerëzit e rinj” të tij. Lehtësisht të përdorshëm e lehtësisht të zëvendësueshëm. Si dje, sot, merren të ngjashmit për të nenshtruar.
E para e listës (si provë që është më e mira mes të rinjve) sjell thiken mbi plagën e malësorëve e kolegëve të saj duke thënë që pikërisht ky është shërimi : shkatërrimi. E kanë në ADN e tyre të shesin vdekjen për rilindje. Ajo tregonte në emër të Partisë se po ju ktheka identiteti Thethit, ndërkohë që çdo kullë e ndërtesë që mban identitetin e kësaj zone ose është lënë në harresë ose është mirëmbajtuar nga banorët e zonës.
Pak orë më parë, i pari i qytetit, në mënyrë po aq perverse sa e para, tregon se si copa toke mund të merren me Paketën e Maleve ndërkohë që neo-policët e neo-inspektorët po shkërmojnë ëndrrat e djersën e një komuniteti të tërë.
Është e dhimbshme të shikosh se si një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, në mes të sezonit, goditet, kundër të gjitha proçedurave ligjore e në shkelje të çdo lloj rregulli moral e njerëzor, nga ushtarë të regjimit. Asnje përllogaritje e dëmit të ndërhyrjes, asnjë plan për rindërtimin, asnjë hapësirë për debat, apo rregullim ligjor të shkeljeve dhe premtim për falje. Goditje brutale nga idiotët e dobishëm.
Kryeinspektori vagabond i cili shkon që ditën e parë duke thënë se mendonte se do gjente peshkaqenë, por në fakt kishte gjetur veçse disa bubrreca, në vazhdim policë që drejtojnë armët e kapin zvarrë invalidë, janë pasqyra e një regjimi fashist që nuk pyet më për qytetarin e saj.
Bashkë me turin e diktatorit herë duke trashur zërin përballë kryebashkiakëve e drejtorëve e herë duke u ulur në gjunjë përballë të huajve, aksioni në Theth ushqen Sistemin e Konfuzionit të Përhershëm. I talentuar që në debatin publik 83 mandatet të mos shihen si prishja e demokracisë, por prishja e gjumit të një Kryeministri që tashmë ka përgjegjësinë e babait të Kombit.
Më e trishtë se fatkeqësia e Thethit është fatkeqësia e Shqipërisë, kur shikon në dorë të kujt ka rënë. Të pandjeshëm, injorantë, pa shtyllë kurrizore dhe në shërbim vetëm të një personi, janë fytyra e një regjimi që ka arritur kulmin e arrogancës.
Thethi qartazi po bëhet gati për Paketën e Maleve, të miqve kombëtar e ndërkombëtar të Edi Ramës. Një copë tjetër e Shqipërisë. Një copë mali, pasi mbaroi me detin, për të konsoliduar e përjetësuar pushtetin e idiotëve të dobishëm dhe skllevërve të pushtetit me të në krye. Njëlloj si me historinë e Tik Tok edhe në Theth gjindet një ndërtim i një krimineli për të legjitimuar brutalitetin e ndërhyrjes ndaj atyre që kanë ndërtuar me mund mbi tokat e të parëve, më të vjetër se vetë shteti shqiptar në ato zona.
Si bandat e Kongos edhe shteti banditesk i Edi Ramës ka ushtarët e tij. Nuk është hapi i parë i shtypjes, por duhet të jetë i fundit. Duhet të ketë një fund ajo që ne na u premtua se nuk kemi parë akoma që nga fjalimi i parë i tij si Kryeministër, përndrysh Shqipëria e tëra po bëhet Toka e tij e Xanun.




