“Hileja” me uljen e çmimit të energjisë/ Kush kalon 700 kwh, paguan me tarifen e vjetër…

Shpërndaje

Lajmi kryesor i së mërkurës ishte ulja e çmimit të energjisë elektrike me 1 lek për kilovator, duke përfshirë vetëm abonentët familjarë. Sipas vendimit, është vendosur një kufi prej 700 kilovatorësh në muaj.

Nëse konsumoni më pak se 700 kilovatorë, fatura do të llogaritet me tarifën e re prej 8.5 lekë për kilovator. Por nëse tejkaloni këtë prag, pra konsumoni 701 kilovatorë ose më shumë, do të paguani gjithë faturën sipas tarifës së mëparshme, 9.5 lekë për kilovator.

Ky sistem nuk aplikohet si faturim me fashë, ku pjesa nën 700 kilovatorë do të përfitojë uljen dhe pjesa mbi këtë do të tarifohet më lart. Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, e sqaroi këtë model tarifimi:

“Nuk kemi të bëjmë me faturim me fashë, por me bazë konsumi. Kush e tejkalon pragun e 700 kilovatorëve, e paguan të gjithë me tarifën e vjetër. Nga 1 070 000 abonentë, 95% e tyre konsumojnë më pak se 700 kilovatorë,” deklaroi Balluku.

Kjo mënyrë e re tarifimi do të zbatohet duke filluar nga 1 shkurti.

Shpërndaje